Prishtinasve u kufizohet lëvizja (Video)

Banorëve të Kosovës nuk u mungon liria e lëvizjes vetëm jashtë shtetit, por edhe brenda tij.

Lajme

26/05/2014 14:58

Derisa partitë po premtojnë miliona euro investime në infrastrukturë anë e mbanë Kosovës, banorët e kryeqytetit, por edhe të qyteteve të tjera në vend, vazhdojnë të përballen me kaosin nëpër rrugë, që prej 15 vjetësh.

Në Prishtinë, ato pjesë të trotuareve që kanë mbetur pa u “uzurpuar” nga lokalet afariste, bllokohen nga veturat, kështu që mundësia e lëvizjes në shumë rrugë të kryeqytetit është pothuajse e pamundur.

Nga lokalet, komuna merr tatim për çdo tavolinë të vendosur në hapësirën publike, ndërsa veturat në trotuare reagon policia e trafikut, sipas tekeve apo “marrëveshjes” me komunën.  

Në fillim të këtij muaji patëm aksionin “Java e Sigurisë” në vend, e cila sipas banorëve do të duhej të zgjaste 365 ditë të vitit, dhe jo vetëm një javë sa për të treguar se policia po bën punën e vet.

Alba Elezi, derisa zbret teposhtë rrugës “Eqrem Çabej”, shprehë keqardhje që jeton në një qytet kaotik siç është Prishtina, që sipas saj nuk i mungon vetëm gjelbërimi, por edhe pastërtia dhe mundësia e lëvizjes së lirë.

“Është për të ardhur keq se si prej 15 vjetësh askush nuk arrin të vendos rend dhe ligj në rrugët e kryeqytetit. Shikojeni vetë se sa veturat janë parkuar në trotuar, madje edhe ato zyrtare”, thotë Elezi.

Në fillim të këtij muaji, Policia e Kosovës ka shqiptuar gati 10 mijë gjoba trafiku, me qëllim vetëdijesimit të qytetarëve, shoferëve, në trafik, por mungesa e aksioneve të këtilla për çdo javë, ka bërë që rrugët e qyteteve, sidomos ato të kryeqytetit, të jenë kaotike për këmbësorët.