Prishtina shënon fitore dramatike në Gjilan për kreun e tabelës, fiton edhe Llapi

Kanë përfunduar dy ndeshjet e planifikuara të luhen sot në kuadër të Superligës së Kosovës.

Sport

20/04/2019 16:53

Skuadra e Llapit ka arritur që me sukses ta mbyllë edhe xhiron 28, duke shënuar fitore kundër skuadrës së Drenicës, me rezultatin 0:2.

Golin e parë në këtë takim për skuadrën mysafire e shënoi Mentor Zhdrella, kur po luhej minuta e 50’ e ndeshjes.

Kurse, për të vulosur fitoren, skuadra e Llapit shënoi edhe njëherë në minutën e fundit të takimit.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për llapjanët, pasi ata tashmë ngjiten në vendin e dytë, duke tejkaluar Feronikelin, të cilët kanë një ndeshje më pak.

Në anën tjetër, ishte skuadra nga kryeqyteti, Prishtina, ajo që morri një fitore dramatike nga udhëtimi në Gjilan.

Ndeshja mes Gjilanit dhe Prishtinës përfundoi me rezultatin 0:1, me shumë shanse të shpërdoruara nga mysafirët.

Goli i vetëm në këtë takim erdhi në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur Mergim Pefqeli realizoi për tri pikë të arta të ‘Bardh e kaltërve’.

Me fitoret e Llapit dhe Prishtinë, tabela gjen si lidere Prishtinën me 65 pikë, në ndjekje nga Llapi me 63 pikë dhe Feronikelin në pozitën e tretë me 62 pikë. /Lajmi.net/