Prishtina qendër identitare
Sabri Hamiti tha se Prishtina është qendra identitare e vendit. Sipas tij, LDK është parti që ka përgjegjësi, prandaj tha se ofrojnë Isa Mustafën për Kryetar të Prishtinës.

Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën e balotazhit në Komunën e Prishtinës.
Të mbledhur në Sallën e Kuqe, simpatizantët dhe përfaqësuesit më eminentë të LDK’së, dëgjuan Nënkryetarin e partisë, Sabri Hamiti.
Hamiti theksoi se gara për Prishtinë nuk është thjesht për Kryetar të një Komune, por është garë për Kryeqytetin, siç e quajti ai Prishtinën – qendrën identitare të vendit.
Hamiti tha se qytetarët do flasin më 1 dhjetor dhe ai kërkoi votën për qeverisjen aktuale të Prishtinës, në krye me Isa Mustafën.
“Më 1 dhjetor pretenduesit do të heshtin. Fjalën e marrin qytetarët, vendimet i marrin qytetarët e Prishtinës, që me dalje të madhe në votime do t’i japin udhë zhvillimit të ardhshëm, sepse vetëm vota e lirë prodhon pushtet legjitim, mbështetje për pushtetin legjim me kryetar Isa Mustafën”.
“Kur flasim për zgjedhjet në Prishtinë ne flasim për zgjedhjet jo vetëm në një qytet, por për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, ku brenda ditës jetojnë apo qarkullojnë një e katërta e popullsisë së Republikës së Kosovës”.
“Kryeqyteti kudo edhe tek ne e rrezaton një kulturë, një histori dhe një identitet politik e civilizues të të gjithë vendit”.
Ai tregoi për historinë e Prishtinës, se çfarë qendre ishte dhe çfarë qendre është sot. Duke qenë Kryeqytet, ai tha se Prishtina ka në gjirin e saj të gjitha institucionet më të rëndësishme.
Por, këtë qendër identitare, Hamiti thotë se Prishtina ua kthen qytetarëve.
“Prishtina e shekullit 19’të, ishte një kasolle e një qendër rajoni. Prishtina e shekullit 20 ishte qendër krahine me kufizime politike dhe ideologjike. Prishtina e shekullit 21 po e krijon qendrën identitare të një kryeqyteti të një shteti të pavarur”.
“Kjo qendër identitare, kulturore, historike e politike, lidh sheshin Adem Jashari, sheshin Ibrahim Rugova, sheshin Gjergj Kastrioti, bulevardin Nëna Terezë, sheshin Zahir Pajaziti.
“Kjo qendër vë në relacion Xhaminë e Madhe të Prishtinës dhe Katedralen”.
“Kjo qendër vë në lidhje Muzeun Nacional, Teatrin Nacional, Akademinë, Biblotekën, Universitetin Nacional – të gjitha këto referenca identifikuese, e identitare për traditën, historinë dhe kulturën e Kryeqytetit dhe vendit”.
“Kjo qendër lidh institucionet më përfaqësuese të vendit tonë, Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Kryeqytetit të Kosovës”.
“Përfundimisht, Prishtina qendrën ua kthen qytetarëve si një ambient demokratik, të qarkullimit të lirë, të jetës, e të ideve civilizuese”.
“Një vend i qytetarëve të lirë me shansa të barabarta sepse Prishtina bëhet qytet i demokracisë dhe i zhvillimit duke arritur standarde europiane që janë vlera universale, po dhe standarde dhe vlera identitare që janë të saj. Kur i themi këto kemi në mendje, Prishtinën qytet dhe Kryeqytet, që ka qendrën, periferinë dhe rrethinën”.
Për këto arsye, ai tha se LDK’ja duhet të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë. LDK’ja duhet të ofrojë njeriun më të mirë, e sipas Hamitit, i duhuri për Prishtinën ëshë Isa Mustafa.
“Prandaj duhet të ofrojmë kushte të barabarta të jetesës për të gjithë qytetarët e vendit”.
“Prandaj, jemi kaq të përgjegjshëm që për Prishtinën qytet dhe kryeqytet të Republikës së Kosovës, ofrojmë për Kryetar akademik, Isa Mustafën- njeri të dijeve, ekspert të fushave të zhvillimit, një nivel të lartë të përfaqësimit politik dhe drejtues i sprovuar i punëve publike”, tha Sabri Hamiti.
Ndërsa Isa Mustafa ka thënë se qeverisjen për Prishtinën e ka zhvilluar si qeverisje për qytetarët, duke i trajtuar të gjithë të barabartë, pa i ndarë qytetarët mbi baza partiake.
Ai tha se ka investuar me ekipin e tij në të gjitha pjesët e Komunës së Prishtinës me kritere të barabarta.
“Të gjithë në qytet dhe fshatra kanë përfituar nga investimet dhe nga punimet që janë bërë”.
Ndërsa ka ndarë disa fjalë edhe për kritikat ndaj LDK’së gjatë ditëve të fushatës.
“E di që janë çuar peshë të gjithë kundër LDK’së. Unë ju siguroj se nuk duhet të brengoseni, sepse kjo është natyra e njerëzve të frikësuar nga LDK’ja e madhe, e hapur, fituese dhe dinjitoze si gjithmonë”.
“Këta njerëz janë të frikësuar nga qeverisja e mire e Prishtinës”.
“Ne do të jemi bashkë në fitoren e madhe. Unë ju ftoj të dilni të votoni për LDK’në. Ne nuk kemi as afera dhe as momente që na bëjnë të ndihemi keq”.
“LDK është dinjiteti dhe koncepti evropian i Kosovës. Është dera jonë e sigurt për në Evropë”.
“Duke votuar LDK’në ne i kthejmë dinjitetin vetes dhe Kosovës që është nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve. Duke votuar LDK-në, ju i bëni nder vetes, LDK-së dhe Kosovës”.
“Unë jam para jush për të shërbyer për një jetë më të mirë që e meritojmë”, ka thënë Mustafa.