Prishtina, komuna që “vrau” më së shumti VV-në: Kurti nuk e përmend fare, Çeku shkruan pak e Sveçla eskalon në sulme
Komuna e Prishtinës, njëherit edhe kryeqyteti i Kosovës, në zgjedhjet lokale ka qenë një nga garat që nuk dihej se kush mund të fitoj, deri në publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ. Garë shumë e afërt ishte mes kandidatit të LDK-së, Përparim Ramës e atij të VV-së, Hajrulla Çekut të cilët shkuan në balotazh. Në…
Lajme
Komuna e Prishtinës, njëherit edhe kryeqyteti i Kosovës, në zgjedhjet lokale ka qenë një nga garat që nuk dihej se kush mund të fitoj, deri në publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ.
Garë shumë e afërt ishte mes kandidatit të LDK-së, Përparim Ramës e atij të VV-së, Hajrulla Çekut të cilët shkuan në balotazh.
Në raundin e parë, Rama mori 35 mijë e 595 vota, ose 33,71%, kurse Hajrulla Çeku 35 mijë e 77 vota, ose 33,21%, dhe dallimi në vota ishte vetëm 518 sosh.
Kryetari i Komunës së Prishtinës për katër vitet e ardhshme, u vendos dje në balotazh me votat e kryeqytetasve, 51,54% të të cilëve votuan Ramën, ndërsa 48,46% të tyre votuan Çekun e VV-së, shkruan lajmi.net.
Kjo humbje, duket të ketë qenë më e rënda për Vetëvendosjen, kjo pasi që kryetari i kësaj partie njëherit edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nuk e tha asnjë fjalë për të. Ai dje sapo u publikuan rezultatet tha për media se është sukses që VV ka marrë nën udhëheqje 7 komuna, duke i ruajtur katër që kishin dhe shtuar tri të tjera. Ai u pyet nga gazetarët për Prishtinën, por nuk e tha asnjë fjalë ndërsa u largua duke thënë se do të shkoj të festoj në Fushë Kosovë, Obiliq e Mitrovicë.
Kurti edhe sot e bëri një postimi në Facebook, por në asnjë rresht të atij postimi nuk e përmendi Prishtinën.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s,
Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Si Kurti, as Çeku nuk reagoi gjerë e gjatë për këtë humbje. Ai dje, menjëherë pas publikimit të një përqindje të lartë të rezultateve, falënderoi qytetarët që e votuan ndërsa ka uruar Ramën për fitoren.
“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi. Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund. Faleminderit ekipit të jashtëzakonshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistëve, vullnetarëve, kandidatëve, shtabit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën, përkushtimin dhe besimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj fushate. Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë”, ka shkruar mbrëmë Rama.
Ai që reagoi më së ashpëri për Prishtinën, ishte ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhella Sveçla, i cili edhe dje në rrugët e kryeqytetit kërcënoi një qytetar.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka konsideruar se nga ky rezultat askush nuk ka fituar dhe se kanë humbur qytetarët, shkruan lajmi.net.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do ti kushtojë më së shumti qytetarit. Mbetet që angazhimi ynë të minimizoj dëmin e zvogëloj çmimin gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë. Të dashur aktivistë dhe qytetarë, Ju faleminderit përzemërsisht për punën e palodhshme dhe besimin që na e keni dhënë. Vazhdojmë përpara dhe gjithmonë bashkë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai reagoi edhe për incidentin që pati dje me një qytetar në afërsi të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, për të cilin raportoi lajmi.net. Ai e fotografoi qytetarin që kishte në xhaketë logon e LDK-së, ndërsa kur qytetari i tha se nuk kishte të drejtë ta fotografonte, Sveçla iu drejtua me “hajde ndalëm”.
“Janë disa që edhe kur bëjnë shkelje, luajnë viktimën. Ata që më njohin, e dijnë shumë mirë se edhe kur kam qenë Drejtor i Inspeksionit, edhe si Deputet e tash Ministër, e mbi të gjitha gjithmonë si aktivist, unë kam reaguar ndaj shkeljeve e padrejtësive. Kështu do të vazhdoj, drejt dhe me shumë punë”, ka shkruar Sveçla.
Për humbjen në Prishtinë, reagoi ashpër dje edhe deputetja e V-së, Fitore Pacolli e cila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të gjithë janë bërë bashkë kundër VV-së në Prishtinë.
“Prishtina zgjodhi kaosin, dështimin, pabarazinë, padrejtësinë, hajninë. Prishtinë, ti nuk fitove sonte. Fituan ata që të shfrytëzuan, shkatërruan e të dështuan. Beteja për ty Prishtinë vazhdon. Ne nuk dorëzohemi e as nuk lodhemi”, kishte shkruar Pacolli.
Prishtina ishte një nga komunat për të cilat më së shumti “luftoi” VV për ta fituar por që nuk ia doli dot. Kryetari që udhëhoqi Prishtinën për 4 vite, Përparim Rama do të vazhdoj edhe për 4 vite të tjera pasi mori votat e qytetarëve. /Lajmi.net/