Prishtina, 150 mijë euro për të zgjidhur problemin me qentë endacakë

Komuna e Prishtinës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në emergjencë për qenët endacakë, ku është krijuar Komiteti i Krizës si dhe janë bërë planifikimet buxhetore për këtë çështje.

Lajme

27/12/2014 16:33

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se dje kanë ngritur gjendjen e gatishmërisë emergjente për qentë endacakë në komunë. 

Ahmeti ka thënë se për këtë çështje është krijuar Komiteti i Krizës në të cilin do të marrin pjesë drejtoritë përkatëse, Policia e Kosovës, FSK, AVUK dhe se i kanë dërguar ftesë edhe KFOR-it.

Ai përmes një postimi në Facebook , ka thënë se Komuna e Prishtinës do ti ndaj 150 mijë euro, për zgjidhjen  problemit me qentë endacak.

“Nga dje, në komunën e Prishtinës kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë në emergjencë për qenët endacakë në komunë. Me këtë rast është krijuar Komiteti i Krizës në të cilin do të marrin pjesë drejtoritë përkatëse, Policia e Kosovës, FSK, AVUK dhe kemi ftuar edhe KFOR-in”.

“ Kemi përpiluar Planin Operativ dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Veterinës do të bëjmë një plan më me detaje”.

“Prej javës tjetër do ta kemi numrin e telefonit të posaçëm për këtë çështje ku qytetarët do të mund të lajmërohen. Trajtimi dhe plani do të jetë në përputhje me ligjin”.

“Në dhjetor e kemi në Kuvend Komunal rregulloren për mbajtjen e qenve në komunën tonë. Në janar e kemi në diskutim publik për ta kaluar pastaj në shkurt. Me këtë rregullore do të rregullohen edhe kriteret për strehimore. Në vitin 2015 kemi buxhetuar 150 mijë euro për këtë çështje”, ka shkruar Ahmeti.