Presioni që pretendohet se prokurori Arian Gashi bëri në përzgjedhjen e anëtarit të KPK, zbulohet mesazhi që dërgoi
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori Arian Gashi është përfshirë në një skemë të dyshimtë të ushtrimit të ndikimit në procesin e përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së. Gashi dyshohet se ka ushtruar ndikim te prokurorët e prokurorive themelore që të votojnë për një kandidate të caktuar në garën për zgjedhjen e një…
Lajme
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori Arian Gashi është përfshirë në një skemë të dyshimtë të ushtrimit të ndikimit në procesin e përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së.
Gashi dyshohet se ka ushtruar ndikim te prokurorët e prokurorive themelore që të votojnë për një kandidate të caktuar në garën për zgjedhjen e një anëtareje të Këshillit Prokurorial, tregon një mesazh që një prokuror në Pejë ia ka dërguar kryeprokurores së kësaj prokurorie.
Rastin e ushtrimit të ndikimit nga anëtari i KPK-së, Arian Gashi, e ka denoncuar kryesuesi Ardian Hajdaraj të hënën në një takim të Këshillit.
Mesazhin e prokurorit, i cili nuk është identifikuar, e ka siguruar Paparaci. Komunikimi është zhvilluar në Whatsapp.
Në SMS-in që ia ka dërguar Kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurori ka denoncuar ushtrimin e ndikimit nga shefi i Komisionit Zgjedhor për anëtaren e re të KPK-së. Ky proces është zhvilluar më 1 nëntor në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit.
“Prokuror, nëse je këndej hajde deri te unë”, i shkruan Kryeprokurorja e Pejës, prokurorit të paidentifikuar.
Tutje, ajo insiston që të marrë një arsyetim nga prokurori për mungesën e tij në konferencën ku u votua për zgjedhjen e anëtares së re prokurore në KPK.
“Prokuror, përshëndetje, duhesh me u arsyetu për mungesën tënde në konferencë. Është bërë kërkesa nga Ariani për mungesën e juaj dhe Sahides e që kjo e fundit më ka njoftu se ka pasur paraburgim dhe kujdestari të ngarkuar”, i thotë ajo, prokurorit.
“Më vjen keq!”, mbyllet mesazhi i Kryeprokurores.

Prokurori, i cili nuk mori pjesë në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit dhe rrjedhimisht as në procesin e votimit të përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, e njofton eproren e tij se gjatë ditëve të fundit ka pranuar telefonata dhe mesazhe nga prokurori Arian Gashi.
Ai e implikon Gashin në ushtrim ndikimi për votimin e “kandidates së tij”, duke iu referuar kandidates për anëtare të re të KPK-së, zëvendësprokurores së Prishtinës, Elza Bajramit.
“Përshëndetje Kryeprokurore, hiq mos të vjen keq unë ua japë arsyetimin dhe ta dërgoj ditën e hënë kur vij në Pejë i shef sa herë më ka thirrur dhe shkruar për me shkue me ja votue kandidaten e tij”, i përgjigjet prokurori, eprores së tij.
Në mesazh, prokurori thotë se vota është e drejtë ligjore e jo “obligim”.
“Veq deshta me ia përkujtue Arianit se me votue është e drejtë ligjore dhe asesi nuk është obligim, me logjikën e tij qytetarët nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet mi dënue!”, shkruan prokurori në mesazhin e tij.
Procesi i zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, i zhvilluar më 1 nëntor të këtij viti, u përmbyll me kandidaten Elza Bajrami që mori më shumë vota sesa kundërkandidatja Merita Kurtishi.
Megjithatë, procesi është përcjell me kontestime në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkak të ligjshmërisë.
Anëtarë të KPK-së janë ankuar në parregullsi të procesit.
Për këtë arsye, në një takim të KPK-së të hënën, Këshilli Prokurorial e rrëzoi raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e anëtares së re të KPK-së.
Pesë anëtarë të KPK-së votuan kundër raportit.
Çështja është në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bazuar në një padi të kundërkandidates Merita Kurtishi.