Presidentja Shiroka Pula merr pjesë në ceremoninë e 103-vjetorit të Turqisë: Partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 103-vjetorit të Republikës së Turqisë, ku ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë për Kosovën. Në fjalimin e saj, Shiroka Pula ka kujtuar themelimin e Republikës së Turqisë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Atatürkut, duke e…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 103-vjetorit të Republikës së Turqisë, ku ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë për Kosovën.
Në fjalimin e saj, Shiroka Pula ka kujtuar themelimin e Republikës së Turqisë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Atatürkut, duke e cilësuar këtë datë si një moment përcaktues në historinë e popullit turk dhe në rrugëtimin e tij drejt shtetit modern, transmeton lajmi.net.
Me këtë rast, presidentja u ka përcjellë urimet e saj popullit turk dhe institucioneve të Republikës së Turqisë.
Ajo ka theksuar se Turqia është partner strategjik dhe aleat i rëndësishëm i Kosovës, me të cilin vendi ndan miqësi të qëndrueshme dhe interesa të përbashkëta.
Shiroka Pula ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Turqisë në periudha të rëndësishme për Kosovën, duke përmendur pjesëmarrjen e saj në ndërhyrjen e NATO-s më 1999, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kontributin në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare.
Një rëndësi të veçantë, sipas presidentes, ka edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, veçanërisht në drejtim të ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ajo ka theksuar se komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata shqiptare në Turqi përbëjnë një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Në përfundim të fjalës së saj, Shiroka Pula ka shprehur bindjen se Kosova dhe Turqia do ta thellojnë edhe më tej partneritetin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, mbi bazën e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë./lajmi.net/