Presidentja Osmani thërret konferencë për media
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë sot një konferencë për media në orën 12:00. Sipas njoftimit nga presidenca, konferenca do të mbahet në kabinetin e Presidentes. Ndërkohë, po sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga…

Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë sot një konferencë për media në orën 12:00.
Sipas njoftimit nga presidenca, konferenca do të mbahet në kabinetin e Presidentes.
Ndërkohë, po sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se qëndrimi i Osmanit gjithmonë ka qenë se askush s’ka të drejtën t’i bllokojë institucionet.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, tha Kupina të hënën.
Kushtetuesja ka nxjerrë të premten vendimin për masë të përkohshme, pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe.
Vendimi i Kushtetueses ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nga sot e deri më 30 shtator çdo veprim dhe vendim si dhe ndalon procedurat për formimin e Qeverisë.
“… Gjykata konsideron se pa u vlerësuar pretendimet e lartcekura të parashtruesve të kërkesës në rastin para saj, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës, masa e përkohshme mund “të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka konsideruar se pa u vlerësuar pretendimet e Listës Serbe, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës.
“Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja ka theksuar se themelimi i institucioneve shtetërore duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën.
“Duke qenë se pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në thelb, kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e vendimeve të marra dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Seancës Konstituive, si akt kushtetues, Gjykata vlerëson se pretendimet dhe faktet e prezantuara nga parashtruesit e kërkesës ngrenë çështje të nivelit kushtetues që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend”, theksohet në dokument.