Presidentja Osmani në heshtje, nuk flet për aktgjykimin e Kushtetueses – merret me marrëveshjen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Pas publikimit të aktgjykimit të dytë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me krizën institucionale në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani nuk ka reaguar publikisht, duke shmangur çdo koment rreth një çështjeje kyçe për funksionimin e institucioneve shtetërore. Në vend të kësaj, presidentja ka zgjedhur të fokusohet në zhvillime ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e paqes ndërmjet Azerbajxhanit…

Lajme

09/08/2025 16:22

Pas publikimit të aktgjykimit të dytë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me krizën institucionale në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani nuk ka reaguar publikisht, duke shmangur çdo koment rreth një çështjeje kyçe për funksionimin e institucioneve shtetërore.

Në vend të kësaj, presidentja ka zgjedhur të fokusohet në zhvillime ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë. Kjo ka ndodhur në një kohë kur në vend po zhvillohen debate të ashpra për aktgjykimin dhe zbatimin e tij, transmeton lajmi.net

Edhe pse Bashkimi Evropian dhe disa ambasada të huaja kanë dalë me thirrje të qarta për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, presidentja, e cila ka rol kushtetues në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, nuk ka bërë asnjë deklaratë në këtë drejtim.

Ndërkohë që Kosova po përjeton tensione të larta për këtë çështje, Osmani ka zgjedhur të shprehë qëndrimin e saj për një temë krejtësisht tjetër. Në platformën “X”, ajo ka reaguar për marrëveshjen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke theksuar rolin e SHBA-së në këtë proces.

“Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe në nivel global”, ka shkruar Osmani në X.

Qëndrimi i saj ndaj Gjykatës Kushtetuese duket se ende nuk është zbutur. Ajo kishte dorëzuar një kërkesë për sqarim në korrik, lidhur me situatën që do të krijohej nëse Kuvendi nuk konstituohej deri më 26 korrik. Megjithatë, të martën, ajo bëri të ditur se e kishte tërhequr këtë kërkesë.

Në një konferencë për media, presidentja tha se vendimi për të tërhequr kërkesën ishte marrë pasi kishte marrë informacion se gjyqtari serb Radomir Llaban ishte caktuar si raportues i kësaj çështjeje.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, ka deklaruar ajo.

Ky veprim i Osmanit është komentuar gjerësisht dhe është kritikuar si një shprehje e thellë e mungesës së besimit në institucionet e drejtësisë së vendit./lajmi.net/