Presidenti Thaçi: Nuk do të ketë as ndarje, as autonomi e as shkëmbim territoresh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e thirrur për media ka diskutuar sërish për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Lajme

03/08/2018 12:00

(I plotësuar 11:55) – Thaçi ka mohuar se korrigjimi i kufijve përfshin ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë se në dialog Kosova do të diskutojë si shtet i pavarur.

I pyetur për paralajmërimet se këto ditë veriu i Mitrovicës mund të shpall autonominë e saj, ka thënë se nuk do të lejojmë cenimin kushtetues të Kosovës. Presidenti ka thënë se edhe më herët ka pasur paralajmërime të tilla, por që institucionet e Kosovës do të punojnë për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e Kosovës, raporton lajmi.net.

“Ka pak gjasa që Serbia të refuzojë mirëpo unë theksoj kërkesën legjitime, mund të imagjinoj reagimin e Beogradit që do të jetë refuzues por kërkesa e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është legjitime. Prandaj unë e shoh si mundësi të vogël dhe teorike që Serbia të pengoje kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.  Është përgjegjësi morale, historike që të shtyhet përpara kjo kërkesë.”

“Unë flas vetëm për shtetin e Kosovës, ajo që i bie mirë shtetit të Kosovës dhe që e fuqizon, ndërsa sa i përket ideve të Serbisë të kamotshme për ndarje, shkëmbim, as nuk janë ide të mija e as nuk janë në diskutim, këto janë kategorikisht në kudërshtim me Kushtetutën.”

“Kosova bën marrëveshje me Serbinë vetëm si vend sovran se çfarë do të parashtrojë Serbia unë nuk marr përgjegjësi, do të marr përgjegjësi vetëm në emër të vendit tim dhe qytetarëve të mi”, ishin fjalët e të parit të vendit.

***

Thaçi: Patjetër duhet të diskutohet për 400 km me Serbinë  –  flet për bashkimin e Preshevës me Kosovën

(I plotësuar 11:44)- Në konferencën e thirrur për media, presidenti i Thaçi ka komentuar edhe deklaratat e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke mos përjashtuar mundësinë e bashkimit të Preshevës me Kosovën.

Thaçi tha se nuk do të ketë asnjë marrëveshje nëse nuk arrihet pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, raporton lajmi.net.

“Në funksion të kësaj kërkese legjitime, paraqet një mundësi reale dhe kam thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme për të debatuar për Luginën e Preshevës me Serbinë.”

“Kushdo që i prezanton opinionit diçka tjetër le të jetë i bindur se Kosova dhe Serbia do të përballën patjetër me demarkacionin, 400 kilometra mes tyre.”

“Të gjithë duhet ta kenë të qartë kërkesën legjitime të kretëve politikë të shqiptarëve të Luginës, kjo kërkesë nuk duhet të jetë e kamufluar me teori konspirative. Shteti i Kosovës, institucionet tona nuk duhet ta humbin këtë mundësi.”

“Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj kërkese të drejt, racionale dhe historike që mund të realizohet në mënyrë paqësore. Nuk mund të jem më i qartë se kaq, kjo mundësi është krijuar dhe nuk është e hapur përgjithmonë kështu që nuk duhet të humbet një momentum i tillë”, ka thënë Thaçi.

***

Thaçi paralajmëron referendum për marrëveshjen finale me Serbinë

(I plotësuar 11:30)- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se raundi i tretë i bisedimeve do të mbahet në shtator, dhe dinamika e takimeve tjera do të rritet. Ai ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë konstruktive.

Sipas tij, Parlamenti i Republikës së Kosovës mbetet institucioni i vetëm shtetëror i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ai ka paralajmëruar se edhe qytetarët e Kosovës duhet të involvohen drejtpërdrejt në këtë proces, përmes referendumit.

“Jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi të drejtën për të mbajtur referendum. Në shërbim të këtij qëllimi,  unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndër-institucionale por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit”, ka shtuar ai.

Thaçi ka thënë se sidomos, në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”, ka thënë Thaçi.

***

Presidenti Thaçi: Për marrëveshje me Serbinë po i analizojmë edhe temat tabu

Sipas presidentit janë duke u analizuar të gjitha opsionet edhe për tema tabu që ka pasur frikë të diskutohet deri më tani, raporton lajmi.net.

“Vetëm duke analizuar me kujdes të gjitha opsionet dhe duke shkuar edhe me larg për të diskutuar edhe për  temat tabu mund të gjejmë zgjidhje për interesin shtetëror”, ka thënë ai.

Deklarata e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke mos përjashtuar mundësinë e bashkimit të Preshevës me Kosovën, ka ngjallur reagime të shumta, mirëpo thotë se nuk do të jetë ai që vendos pasi “Parlamenti do ta ketë fjalën përfundimtare për marrëveshjen e cila do të rezultojë në fund të dialogut”.

“Duhet të bëhet përpjekje maksimale për të arritur marrëveshje historike nëpërmjet dialogut”, të cilën presidentit ka thënë se do të jetë marrëveshje ligjore.

Tutje, i pari i shtetit thotë se marrëveshje mund të ketë vetëm përmes dialogut dhe mënyrë paqësore, e në asnjë rrethanë me kërcënime dhe luftë. /Lajmi.net/