Presidenti Obama komenton në njërën nga historitë e ‘Humans of New York’ në Facebook (Foto)

Presidenti amerikan ka shprehur mendimin e tij si çdo qytetar tjetër i botës në fotografinë e faqes në Facebook 'Humans of New York'.

Fun

03/09/2015 22:47

Brandon po vazhdon ‘turneun’ e tij në Iran për të nxjerrë historitë më të mira të njerëzve të zakonshëm.

Ai e ka filluar këtë në Amerikë, përkatësisht në New York, sipas së cilit edhe e ka emëruar faqen e tij në Facebook, e cila deri tani numëron afër 15 milionë pëlqime.

Brandon fotografon njerëzit e zakonshëm dhe shpërndan në faqen e tij historitë nga më të ndryshme, transmeton lajmi.net.

Historia e fundit e postuar nga ai është një foto e një babi dhe biri nga Irani, ndërsa kjo është historia që babai ka treguar:

“Sot është ditëlindja e tij e dhjetë. Ai është një njeri i vogël dhe shumë emocionues. Ai ka dëshirë të zgjidhë problemet e të tjerëve. Një herë kur ai ishte pesë vjeç,  ka ardhur me mua në shitore dhe ne kemi blerë një kilogram kajsi. Unë e kam lënë atë të mbajë qesen për në shtëpi. Ai ka hecur pak prapa meje gjatë gjithë rrugës. Pas pak kohës, unë i thash atij të më japë një kajsi. ‘Nuk mundem’, më tha. ‘I kam dhuruar të gjitha’. E kam ditur që në atë moment se unë isha duke rritur një njeri humanitar.”

Njerëzit gjatë gjithë kohës japin mendimet e tyre dhe komplimentojnë historitë, e këtë herë është përfshirë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Ai me profilin e Shtëpisë së Bardhë në Facebook ka shkruar: “Çfarë historie inspiruese. Njëra nga gjërat më plotësuese që mund t’i ndodhë një prindi është të shohë vlerat me të cilat ka punuar për të rrënjosur tek fëmijët të fillojnë të manifestohen në vepra – dhe kjo ka pasur vërtetë jehonë tek unë. Shpresoj që ky djalosh i ri të mos e humbasë kurrë dëshirën për të ndihmuar të tjerët. Dhe unë do të vazhdoj të bëj çdo gjë që mundem për ta bërë këtë botë një vend ku ai dhe çdo person i ri si ai të jetojnë me potencialin e tyre të plotë. (Dhe nëse ndonjëherë do ta takoj, shpresoj që të jetë një kajsi për mua!) -BO”./Lajmi.net