Presidenti në Sheshin e Tij
Sipas Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Abdullah Hoti, shtatorja 4.25 metërshe do të mbërrijë në Prishtinë të enjten. Ajo është punuar nga artisti Julian Muçollari dhe ka kushtuar 135 mijë euro.
Lajme
Përurimi i shtatores së Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova do të bëhet të premten në sheshin që mban emrin e tij, ka bërë të ditur sot Komuna e Prishtinës, si organizatore e kësaj ceremonie.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Abdullah Hoti, ka thënë se shtatorja e lartë 4.25 metra do të mbërrijë në Prishtinë të enjten në mbrëmje. Ajo është punuar nga artisti nga Shqipëria Julian Muçollari dhe ka kushtuar 135 mijë euro.
“Ne kemi pranuar rreth 33 oferta, të cilat janë vlerësuar prej jurisë të përbërë prej Akademisë së shkencave dhe Arteve të Kosovës, Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Komuna e Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve në Tiranë”.
Zbulimi i shtatores do të bëhet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Presidentja Atifete Jahjaga, ish Presidenti Fatmir Sejdiu dhe nga gruaja e Presidentit Ibrahim Rugova, Fana Rugova.
Një pjesë e rrugës ‘Agim Ramadani’, do të bllokohet prej orës 11:30-13:00, gjatë kohës sa do të zhvillohet ceremonia e përurimit.