Presidenti i Iranit thotë se vendi është në “luftë në shkallë të plotë”
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka thënë se vendi është “i angazhuar në një luftë në shkallë të plotë” që shtrihet në ekonominë e Iranit. Pezeshkian foli të hënën në një takim të Këshillit Suprem Gjyqësor të Iranit “Realiteti është se sot Republika Islamike e Iranit është e angazhuar në një luftë në shkallë të plotë”,…
Bota
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka thënë se vendi është “i angazhuar në një luftë në shkallë të plotë” që shtrihet në ekonominë e Iranit.
Pezeshkian foli të hënën në një takim të Këshillit Suprem Gjyqësor të Iranit
“Realiteti është se sot Republika Islamike e Iranit është e angazhuar në një luftë në shkallë të plotë”, tha ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, transmeton telegrafi.
“Lufta e sotme nuk është thjesht një luftë raketash; armiku ka arritur në përfundimin se nuk mund ta detyrojë popullin iranian të dorëzohet përmes sulmeve ushtarake”, shtoi ai.
“Ekonomia dhe jetesa e popullit janë arena më e rëndësishme e përballjes me armikun”, u citua të ketë thënë Pezeshkian.
Presidenti iranian ka paralajmëruar shpesh për pasojat ekonomike dhe sociale të konfliktit me Shtetet e Bashkuara.
“Është e papranueshme për ne të jetojmë në një shoqëri ku njerëzit po luftojnë me probleme të jetesës, papunësi, varfëri dhe vështirësi”, tha Pezeshkian.
“Nëse presionet ekonomike prodhojnë pakënaqësi sociale dhe kjo pakënaqësi përhapet, kapitali i madh social i krijuar nga njerëzit në mbështetje të sistemit mund të dëmtohet”, shtoi ai.
Në një takim me drejtuesit e mediave muajin e kaluar, Pezeshkian tha se ruajtja e unitetit dhe kohezionit kombëtar është përparësia kryesore e Iranit në rrethanat aktuale.
Që atëherë, SHBA-të kanë rifilluar bllokadën e porteve iraniane dhe kanë bombarduar infrastrukturën kritike si rrugët, hekurudhat, urat dhe tunelet.
Papunësia në Iran është përkeqësuar që nga fillimi i konfliktit dhe monedha e tij ka arritur nivele të reja minimale. Në qershor, norma vjetore e inflacionit ishte 88%, sipas të dhënave zyrtare.