​Të hënën shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve për tre të vrarë në Gllogjan më 2021

Gjykata Themelore në Pejë të hënën (24 gusht) do të shpallë aktgjykimin ndaj Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt. Shpallja e aktgjykimit do të fillojë në orën 14:30. Tre të akuzuarit gjykohen për tre të vrarë më 26 nëntor 2021, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të autobusit që po qarkullonte në Gllogjan. Nga…

Lajme

23/08/2026 23:24

Gjykata Themelore në Pejë të hënën (24 gusht) do të shpallë aktgjykimin ndaj Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt.

Shpallja e aktgjykimit do të fillojë në orën 14:30.

Tre të akuzuarit gjykohen për tre të vrarë më 26 nëntor 2021, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të autobusit që po qarkullonte në Gllogjan.

Nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa një tjetër person, F.T., ishte plagosur rëndë.

Në aktakuzë të Prokurorisë thuhet se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj.

Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

Sipas aktakuzës, Kastriot Mehmetaj, i armatosur kishte dalë në rrugë para autobusit, duke u shtirur si i dehur, me qëllim që ta detyronte shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pas ngadalësimit të autobusit, ai, sipas Prokurorisë, kishte shtënë në drejtim të shoferit.

Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj.

Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur dy djemtë e tij Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, shoferin e autobusit duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.