Presidenca me deklaratë shokuese për zyrën e pritjes në këtë objekt: Liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve
Pas raportimeve për ndërtimin e një objekti të ri për Presidencën, Presidenca e Kosovës ka reaguar duke sqaruar se Presidentja Vjosa Osmani asnjëherë nuk ka kërkuar ndonjë rezidencë me luks apo përfitime personale, por ka kërkuar një objekt zyrtar që i përmbush nevojat institucionale të shtetit. Në reagim thuhet se Kosova është ndër të vetmet…

Lajme
Pas raportimeve për ndërtimin e një objekti të ri për Presidencën, Presidenca e Kosovës ka reaguar duke sqaruar se Presidentja Vjosa Osmani asnjëherë nuk ka kërkuar ndonjë rezidencë me luks apo përfitime personale, por ka kërkuar një objekt zyrtar që i përmbush nevojat institucionale të shtetit.
Në reagim thuhet se Kosova është ndër të vetmet vende në Evropë, e ndoshta edhe në botë, që nuk ka një ndërtesë të dedikuar për Kreun e Shtetit, transmeton lajmi.net
“Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale”, thuhet në reagim.
Po ashtu, theksohet se mospasja e një ndërtese të përshtatshme ka bërë që pritjet zyrtare, darkat dhe takimet me homologët ndërkombëtarë të mbahen në restorante private, gjë që përshkruhet si praktikë e pazakontë për një shtet serioz.
Presidenca sqaron se çdo pretendim për ndërtimin e ndonjë rezidence private për Presidenten Osmani është i pabazë dhe absurd, pasi objekti do të përfundojë pas 5–6 vitesh, përtej mandatit të saj aktual.
Presidentja Osmani, sipas njoftimit, ka kërkuar që plani ideor i objektit të rishqyrtohet urgjentisht, në mënyrë që të përshtatet me nevojat reale të institucionit dhe standardet ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu ka kërkuar që në objekt të përfshihet një suitë për pritjen e liderëve ndërkombëtarë, siç ndodh në çdo presidencë të vendeve demokratike.
Në përfundim, Presidenca thekson se:
“Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.”.
Komunikata e plotë:
REAGIMPresidentja e vendit ASNJËHERË nuk ka kërkuar ndërtim të ndonjë rezidence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private, e as ndonjë luks tjetër personal. Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës.Së pari, Presidentja ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtesën zyrtare të Presidencës, e cila do të përdoret për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, sepse Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur.Së dyti, edhe nëse fillon ndërtimi i një ndërtese të tillë zyrtare presidenciale në truallin që i është ndarë Presidencës që nga koha e Presidentit Rugova, realizimi i saj do të zgjasë të paktën 5–6 vite, gjë që bën të qartë se Presidentja Osmani nuk do ta shfrytëzonte një objekt të tillë gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton “për vete” është jashtë çdo logjike dhe tregon mungesë kuptimi për rëndësinë që ka funksionimi i institucioneve me dinjitet dhe kushte minimale pune.Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë.Në fund, Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private).Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës. /lajmi.net/