Premton suksese edhe në Melbourne

Besart Berisha do të largohet me kokën lartë nga Brisbane Roar, me të cilin i fitoi dy tituj kampioni të Australisë. Sulmuesi kosovar premton suksese edhe në ekipin e ri, Melbourne Victory, të cilit do t’i bashkohet nga sezoni i ardhshëm.

Sport

05/05/2014 12:15

Ylli i Brisbane Roar, Besart Berisha e ka demonstruar edhe një herë se është një njeri i arritjeve të mëdha.

Futbollisti kosovar tregoi se di të jetë vendimtar për skuadrën e tij, siç bëri në finalen e madhe të A-League, duke shënuar ndaj Western Sydney Wanderers, në fitoren 2:1.

Siç dihet, 28 vjeçari do të largohet nga Roar, për t’iu bashkuar ekipit Melbourne Victory nga sezoni tjetër.

Ai është i lidhur me sfidën e re, ndërsa do të largohet nga Brisbane si një hero, pasi ia solli dy tituj kampioni këtij ekipi.

“Dua ta them një gjë: Jam mjaft i kënaqur me mënyrën se si po largohem. Jam po ashtu i lumtur që po shkoj tek Vitory, sepse kjo është ajo që e dua”, deklaroi fillimisht futbollisti nga Prishtina.

“Nuk është vendim i askujt tjetër, ishte i imi. Dua të shkoj në këtë klub dhe të fitoj trofe të tjerë. E kam demonstruar këtë në Brisbane. Dua ta sfidoj veten diku tjetër”, vazhdoi ai.

Berisha s’ka dyshim se mund t’i shënojë së paku 10 gola në sezoniin e tij të ri tek ekipi i ri.

“Natyrisht se mund ta bëj këtë. Dhe, do ta bëj këtë. Sezonin tjetër do të luaj në një klub të madh, po ashtu. Mentaliteti im nuk do të ndryshojë kurrë, jam person i uritur. Punoj shumë dhe do të shkoj atje që të jap gjithçka nga vetja, njëjtë siç kam vepruar në Brisbane”, shtoi ai.

Berisha është duke e kaluar një eksperiencë fantastike në Australi, pasi në Evropë nuk arriti ta gjejë një ekip të qëndrueshëm, ku do të mund të luante rregullisht.