Portugalia pa Ronaldon

Cristiano Ronaldo do të mungojë në miqësoren e Portugalisë kundër Meksikës të shtunën, për shkak të problemit muskulor në këmbën e majtë. Bashkë me të, nuk do të luajnë as Raul Meireles dhe Pepe.

Sport

05/06/2014 21:38

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo nuk do të luajë në miqësoren kundër Meksikës të shtunën për shkak të lëndimit.

Federata e Futbollit të Portugalisë ka njoftuar se ylli i Real Madridit do të mungojë në ballafaqimin e radhës në Foxborough, Massachusetts, për shkak të problemit muskulor në këmbën e majtë.

Raul Meireles dhe Pepe po ashtu nuk do të luajnë në miqësoren e parafundit të Portugalisë, para nisjes për në Brazil. Portugalia do të ndeshet me Republikën e Irlandës, në miqësoren e fundit, para duelit me Gjermaninë në Grupin G më 16 qershor.

Ronaldo udhëhoqi Real Madridin drejt titullit në Ligën e Kampionëve muajin e kaluar, edhe pse pati probleme fizike në javët e fundit të sezonit.

Portugalia do të ndeshet edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ganën në kuadër të grupit të vështirë në Brazil.