Politikat e LDK’së, të shpjeguara nga Abdullah Hoti

Abdullah Hoti i LDK’së mendon se Qeveria e ka merituar moti të shkarkohet. Thotë se politika e LDK’së për rritjen e pagave shkon në koordinim me inflacionin në vend dhe rritjen ekonomike. Ai flet edhe për parimet e kësaj partie në zgjedhjet që po vijnë.

Lajme

05/03/2014 21:20

Kosova është një ndër vendet më me së paku investime nga jashtë. Rritja reale e pagave është zero. Ndërsa, Qeveria që ka shkaktuar këtë gjendje, duhet të shkarkohet.

Kështu është shprehur anëtari Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti, në Zonën B të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se rritje reale të pagave nga paralajmërimet që janë bërë deri më tani nga Qeveria nuk ka, ndërsa konstaton se Ministri i Financave, Besim Beqaj, as për 1 orë debat s’ka mundur ta shfaqë shifrën se sa është rritja e pagave.

Hoti, po ashtu, ka prezantuar politikën e rritjes së pagave, sipas LDK’së.

“Politika jonë si LDK, që e kemi promovuar vazhdimisht, është se rritja e pagave duhet të jetë vjetore, bazuar në dy kritere, për aq sa rritet inflacioni, dhe e dyta, duhet të rriten për aq sa ka rritje ekonomike në vend. Rritja ekonomike në vitet e fundit nuk ka shkuar mbi 2.7% a 2.9%”.

“Viti 2013 shënon vitin me investime më të vogla nga jashtë. Investitorët e jashtëm nuk e shohin Kosovën si vend të përshtatshëm për investim”.

“Janë 4 pika me të cilën LDK do ta bazojë fushatën për zgjedhje. Zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, si dhe qeverisja me duar të pastra”.

Abdullah Hoti, në vijim të intervistës së tij në Zona B të Klan Kosovës, ka deklaruar se takimi Thaçi-Mustafa s’ka qenë marrëveshje, por bisedë. Ndërsa, Qeveria Thaçi, sipas tij, e ka merituar rrëzimin qysh moti.

“Ne nuk e kemi pasur asnjë mirëkuptim me Thaçi, kryetari Mustafa ka pasur një bisedë me kryeministrin, siç e ka pasur me Kryetarin e AAK’së”.

“Kjo Qeveri ka merituar moti të shkarkohet. Ne jemi për zgjedhje të përgatitura mirë, jo për 45 ditë. Ne vazhdimisht kemi kërkuar vëzhgues nga BE’ja të cilët do të jenë statik në qendrat e votimit”.

“Në këtë Qeveri ka 63 kryeministër, ministra dhe zëvendësministra, i pakuptueshëm për një vend të vogël. Anomali nga më të ndryshmet të Qeverisë që ne jemi duke i shikuar për të ofruar një model komplet të ri.”

“Ne i dimë parimet se si do të qeverisëm, parimet në bazë të cilave i emërojmë ministrat e zëvendësministrat, për emra nuk mund të jap”.

“Koalicionet do të ndërtohen mbi bazat e përputhjes së programeve të partive politike. Ne jemi të interesuar të heqim nga qeverisja këtë model, këtë keqqeverisje, njerëzit që kanë qeverisur”.

“Në parim ne do t’i mbahemi parimit të Qeverisjes me duar të pastra. Unë mendoj është e shëndetshme për skenën politike në Kosovë”.