Politika e mbrapsht

E pakuptimitë dhe e pafalshme është ku kemi mbërri, në këtë politikën shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Opinion

07/03/2019 08:48

Libri, romani i Ismail Kadaresë, ‘Viti i mbrapshtë’, do të mbërrinte në Kosovë, në verën e vitit 1990-të, në stinën shumë të rëndë për politikën dhe qytetarët e Kosovës, kur u krijua një front i hapur dhe i madh në mes nesh, si shqiptarë të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Nuk përjashtohej as plasja e luftës së mirëfilltë. Këtë zatën e synonte Sllobodan Millosheviqi. Fushata e tij e luftërave për ri-definimin e shtetit serb, pritej që do të niste në Kosovë. Në fund, doli e kundërta: Me Kosovën, u përmbyll cikli i luftërave, të cilat njëmend ri-përkufizuan shtetin e Serbisë, duke ndikuar në bërjen e gashtë shteteve të tjera  (pos Serbisë), duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Sidoqoftë, të gjithë ne  (e ishim të shumtë), që patëm lexuar asokohe këtë vepër të Kadaresë, i cili vetëm pak muaj më vonë do të largohej nga Shqipëria në drejtim të Francës, ishim të tronditur me përmbajtjen e saj.

Mund të mirret me mend, se si mund të ndjeheshim ne, shqiptarët e Kosovës, në atë verën e vitit 1990-të, kur në këtë libër lexonim se sa të mbrapshtë, sa të paorganizuar, sa të çorientuar dhe të çoroditur kishin qenë politikisht shqiptarët në vitin 1914-të, apo pak kohë pas krijimit dhe pranimit të shtetit të Shqipërisë.

Në fakt, ne tashmë kishim qenë dëshmitarë të një ngjarjeje që na pati lënë pa frymë në Kosovë. Të hënën, me 2 korrik, Kuvendi i Kosovës në Prishtinë, pati shpallur Kosovën Republikë, me një status të barabartë në Federatën/ Konfederatën e Jugosllavisë. Po këtë ditë, në Tiranë, nisi mësymja e shqiptarëve oborreve të Ambasadave perëndimore, në ikje nga shteti komunist shqiptar.

Këndejpari, ne dëshironim disi të gjenim strehimin për fatin e gjithë një populli, me krijimin e Republikës së Kosovës.

Andejpari, shqiptarët kërkonin të gjenin strehimin individual dhe familjar duke u larguar nga Shqipëria, përmes Ambasadave të shteteve të mëdha perëndimore.

Ishte kjo një përplasje fatesh, e cila për ne në Kosovë, aq pak të informuar me realitetin në Shqipëri, ishte e pakuptimtë dhe paradoksale.

Sidoqoftë, romani i Kadaresë, për ne, lexuesit e tij në Kosovë, shpiente në dy konkludime të mundshme, në ato rrethanat e verës së atij viti.

I pari, kërkonte ‘shpëtimin’ për gjithë atë përmbajtje të rëndë dhe tragji-komike të këtij romani, tek një ekzagjerim të një shkrimtari, tek imagjinata e tij.

I dyti, teksa e mendonte edhe variantin që i gjithë ky roman ndërtohet mbi të vërtetën e kohës, mbërrinte tek një përfundim shumë më shpresëdhënës për ne, si shqiptarët e Kosovës. ‘Ne ishim ndryshe. Ne ishim më të mirë. Ne e dinim se cila është përballja me epokën e sotme. Ne do ta mbërrimë qëllimin. Do të çlirohemi nga Serbia. Do të bëhemi më pas edhe shtet. Çka është më kryesorja: Ne do të ia dimë vlerën lirisë dhe shtetit të Kosovës’.

Kështu disi rezononim në verën e vitit 1990-të.

Kanë kaluar gati tridhjetë vjet në ndërkohë. Tri dekada janë shumë për një njeri, e lëre për një popull.

Bota shqiptare është përmbysur disa herë madje prej atëherë e deri më sot.

Natyrisht, rezultati final i çdo analize të mundshme në këtë aspekt, kur bëhet rishikimi dhe vlerësimi objektiv i historisë dhe politikës në Kosovë dhe në Shqipëri në këto tridhjetë vjet, nuk ka si të mos veçojë faktin që fati i jonë kombëtar ka përjetuar një ndryshim të madh, apo, që kemi mbërri, në te dy anët e një kufiri që më nuk ndanë shqiptarët, aty ku nuk kemi qenë asnjëherë më parë.

Kosova është bërë shtet i pavarur. Shqipëria ka hyrë në Aleancën Veri-Atlantike. Shqiptarët në Maqedoni janë faktorizuar si asnjëherë më parë. Shqiptarët në Mal të Zi kanë shënuar avansim në të drejtat e tyre.

Në rastin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dihet që situata është e keqe dhe e rëndë, që nuk ka si të mos mirret parasyshë në Prishtinë dhe në Tiranë.

Sidoqoftë, përcjellja e çdoditshme e lajmeve politike në mediat shqiptare këtu dhe në Shqipëri, nuk ka si të mos e ri-kthejë jo vetëm titullin, por në masë të madhe, edhe përmbajtjen e romanit të Ismail Kadaresë.

Atëbotë, një shekull e më shumë më parë, sapo kishim nisë të ecim si një komb dhe si shtet. Tani, janë rrethanat krejtësisht të tjera.

E pakuptimitë dhe e pafalshme është ku kemi mbërri, në këtë politikën shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri.