Politika Artistike
Shpend Ahmetit nuk i pëlqen që arti e kultura në Prishtinë janë reduktuar në ekspozita e koncerte. Ai thotë se ka një plan për ta sjellë qytetarin më afër artit.

Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar pushtetin aktual komunal për qasjen ndaj kulturës dhe artit.
Në një konferencë për shtyp, Ahmeti ka shpalosur programin e vet për këto fusha.
“Ju e dini se tanimë arti dhe kultura në mbështetje të komunës janë reduktuar në ca koncerte të pavarësisë të cilat mbahen edhe për pavarësinë e Republikës së Kosovës, të SHBA’ve, dhe për 28 Nëntorin.”
“Politika e Lëvizjes Vetëvendosje synon qasje të lehtë dhe të barabartë në përvojat kulturore dhe artistike nga çdo banor, pavarësisht moshës dhe mundësinë e shprehjes së lirë nëpërmjet artit dhe kulturës.”
“Në vend se të shkojmë në politikën e cila e sjell qytetarin tek arti, ne kemi vendosur që ta ndryshojmë kahen dhe mundohemi që artin ta sjellim tek qytetari.”
Ndërsa kandidati për Asamble Komunale i Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Budima, ka kërkuar që në vizitat e Muzeut të bëhet edhe një pagesë simbolike për krijimin e qarkullimit ekonomik.
“Mbështetja e filmave dokumentarë, të cilat në fokus do ta kenë Prishtinën, për shkak se shumë është e rëndësishme që Prishtina të shndërrohet në epiqendër, që me ndihmën e filmit të zhvillohet turizmi i qytetit.”
“Është e rëndësishme në muze në ditët e sotme të krijohen ekspozita të ndryshme. Dhe shumë është e rëndësishme nëse bëhet një pagesë simbolike edhe në muze në mënyrë që të krijohet qarkullimi ekonomik.”