Policia sqaron angazhimin gjatë varrimit të Laurent Krasniqit: Dy shoferë shkaktuan bllokada në trafik

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për masat e ndërmarra gjatë ceremonisë së varrimit të Laurent Krasniqit, e cila u zhvillua sot në fshatin Llukarë të Prishtinës. Sipas Policisë, njësitet policore ishin angazhuar kryesisht për menaxhimin e qarkullimit dhe sigurimin e lëvizjes së automjeteve në rrugët që lidhnin zonën e ceremonisë me pjesët e tjera…

Lajme

03/09/2026 19:54

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për masat e ndërmarra gjatë ceremonisë së varrimit të Laurent Krasniqit, e cila u zhvillua sot në fshatin Llukarë të Prishtinës.

Sipas Policisë, njësitet policore ishin angazhuar kryesisht për menaxhimin e qarkullimit dhe sigurimin e lëvizjes së automjeteve në rrugët që lidhnin zonën e ceremonisë me pjesët e tjera të qytetit, transmeton lajmi.net.

Përmes monitorimit të vazhdueshëm të trafikut dhe ridrejtimit të automjeteve, Policia thotë se arriti të reduktojë ndjeshëm ngarkesën dhe të shmangë bllokimet e mëdha.

Megjithatë, gjatë operacionit janë evidentuar edhe dy raste ku drejtues automjetesh, sipas Policisë, kanë penguar qarkullimin dhe kanë krijuar bllokada.

Për këto raste, zyrtarët policorë kanë shqiptuar njoftime për kundërvajtje, pasi një masë e tillë, sipas Policisë, ishte e nevojshme për të liruar rrugën.

“Lëshimi i njoftimit për kundërvajtje trafiku në këto dy raste ishte i domosdoshëm, në mënyrë që të krijohej mundësia për t’u hapur rruga”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në fund, Policia e Kosovës ka shprehur falënderim për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë zhvillimit të ceremonisë.

Institucioni ka përsëritur se do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve, me synim garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë në rrugët e vendit./lajmi.net/