Izraeli ia kalon një ambasade në rajon mbulimin e Kosovës, kjo është arsyeja
Izraeli ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit diplomatik në Kosovë, në kuadër të një riorganizimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme izraelite. Kjo është konfirmuar në një përgjigje zyrtare nëse përfaqësimi diplomatik i Izraelit në Kosovë mund të bartet në Ambasadën izraelite në Shqipëri. Në përgjigjen e saj, përfaqësia diplomatike izraelite ka sqaruar se,…
Lajme
Izraeli ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit diplomatik në Kosovë, në kuadër të një riorganizimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme izraelite. Kjo është konfirmuar në një përgjigje zyrtare nëse përfaqësimi diplomatik i Izraelit në Kosovë mund të bartet në Ambasadën izraelite në Shqipëri.
Në përgjigjen e saj, përfaqësia diplomatike izraelite ka sqaruar se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, shteti izraelit nuk ka pasur ambasadë fizike në Prishtinë, por është përfaqësuar përmes një ambasadori jorezident.
“Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, Izraeli ka emëruar një ambasador jorezident në Prishtinë. Nuk ekziston një ambasadë fizike në Kosovë dhe ambasadori ka ardhur çdo disa muaj në Kosovë për vizita pune”, thuhet në përgjigjen zyrtare dhënë Periskopit.
Aktualisht, ambasadore e Izraelit në Kosovë është Tamara Ziv.
Por çfarë po ndryshon në përfaqësimin diplomatik të Izraelit?
Në përgjigjen për mediumin, pala izraelite ka konfirmuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka ndërmarrë një ndryshim organizativ, përmes të cilit përfaqësimi i shteteve që mbulohej nga ambasadorë jorezidentë do të bartet te ambasadat ekzistuese në vendet fqinje.
“Si pjesë e një ndryshimi organizativ në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, është vendosur që përfaqësimi i vendeve nga ambasadorët jorezidentë të transferohet te ambasadat fizike në vendet fqinje, për të mundësuar një afërsi më të madhe me vendin përkatës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Përfaqësia izraelite ka bërë të ditur se ndryshime të ngjashme janë zbatuar së fundmi edhe në dy shtete të tjera evropiane.
“E njëjta gjë është bërë së fundmi edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Maltën”, thuhet më tej në përgjigjen zyrtare.
A do të përfaqësohet Kosova nga Ambasada izraelite në Shqipëri?
Mediumi kishte kërkuar sqarime nëse Izraeli po planifikon ta transferojë përfaqësimin diplomatik për Kosovën te Ambasada e tij në Shqipëri, si dhe cilat janë arsyet e një vendimi të tillë.
Megjithëse përgjigjja zyrtare konfirmon vendimin për bartjen e përfaqësimit nga ambasadorët jorezidentë te ambasadat në vendet fqinje, ajo nuk e specifikon shprehimisht nëse Ambasada izraelite në Tiranë do ta marrë përsipër mbulimin diplomatik të Kosovës.
Izraeli dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021, pas marrëveshjes së arritur në kuadër të procesit të Uashingtonit në vitin 2020.