Policia me gaz lotsjellës dhe protestuesit me gurë, lënduan gazetarët

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani ka akuzuar Policinë e Kosovës dhe protestuesit për huliganizëm në protestën e 27 janarit.

Lajme

01/02/2015 12:31

Gazetarët për rreth gjashtë orë janë përballur me rrezikun e lëndimeve serioze, për shkak se në protestë nuk kishte hapësirë që ndante protestuesit me forcat speciale të policisë.

Shabani, në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, ka thënë se protestuesit dhe forcat e rendit nuk e kuptojnë punën e një gazetari gjatë një raportimi.

“Gazetarët raportuan dhe do të raportojnë edhe për dhunën në protestë dhe huliganizmin nga të dyja palët (edhe forcat e rendit), që nuk dinë të dallojnë dhe kuptojnë punën e gazetarit”, ka thënë Shabani.

“Të martën kemi qenë dëshmitarë, në disa, raste, kur individë në uniformë të Policisë së Kosovës nuk janë treguar të përgjegjshëm në raport me gazetarët”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

AGK-ja ende nuk ka shifër zyrtare të gazetarëve të lënduar në protestën e 27-janarit, por Shabani ka thënë se pothuajse të gjithë gazetarët që raportuan për protestën “janë lënduar në një formë, qoftë nga gazi lotsjellës, i hedhur nga policia, qoftë nga gurët dhe gjësendet e hedhura nga turma protestuese”.