Policia kufitare serbe deklarohen për rastin e Milan Radojiçiqit

Drejtoria e Policisë Kufitare e Serbisë është deklaruar lidhur me pretendimet se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është larguar nga Serbia, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe. Radoiçiq, i cili është nën hetime për sulmin terrorist në Banjskë, nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, ndonëse kjo ishte një nga masat…

Lajme

20/11/2026 18:00

Drejtoria e Policisë Kufitare e Serbisë është deklaruar lidhur me pretendimet se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është larguar nga Serbia, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Radoiçiq, i cili është nën hetime për sulmin terrorist në Banjskë, nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, ndonëse kjo ishte një nga masat e shqiptuara ndaj tij nga gjykata.

Në komunikatën e saj, Policia Kufitare ka theksuar se nuk është kompetente t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes asnjë personi, nëse një kufizim i tillë nuk është përcaktuar me ligj ose me vendim të një organi gjyqësor.

“Nëse në një procedurë të caktuar gjyqësore është marrë një vendim që duhet të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjykata ia përcjell këto vendime zyrtarisht drejtorisë policore në vendbanimin e palës, me qëllim të evidentimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mundshme nga policia kufitare”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, në komunikatë nuk është saktësuar nëse policia ka pranuar nga gjykata ndonjë vendim lidhur me Radoiçiqin.

Gjykata e Lartë në Beograd më 17 nëntor mori vendim për caktimin e paraburgimit dhe lëshimin e fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiqit, pasi u konstatua se ai nuk ishte paraqitur në stacionin policor dy ditë më parë.

Pas kësaj, në opinion u shfaqën informacione se Radoiçiq ishte larguar tashmë nga Serbia.

Më 4 tetor 2023, gjykata kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj Radoiçiqit. Në vend të kësaj, ndaj tij kishte shqiptuar masën e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi pa lejen e gjykatës, ia kishte konfiskuar pasaportën dhe i kishte ndaluar largimin drejt territorit të Republikës së Kosovës.

Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet e Kosovës për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ndaj tij është ngritur aktakuzë dhe është lëshuar fletarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it.

Rasti i largimit të Vulinit drejt Moskës

Drejtoria e Policisë Kufitare ka dhënë sqarime edhe lidhur me udhëtimin drejt Moskës, më 3 nëntor, të ish-zyrtarit shtetëror dhe politikanit pro-rus, Aleksandar Vulin.

Policia ka deklaruar se të gjithë personat që posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, ndaj të cilëve nuk është evidentuar ndonjë ndalesë nga autoritetet kompetente apo pengesë tjetër ligjore, mund ta kalojnë lirisht kufirin.

Lidhur me kthimin e aeroplanit në linjën Beograd–Moskë, Drejtoria e Policisë Kufitare pretendon se e ka kryer pjesën e saj të punës në përputhje me ligjin.

“Vulini i është nënshtruar kontrollit të detyrueshëm kufitar, të cilin e kanë kaluar edhe pasagjerët e tjerë në fluturimin drejt Moskës. Kontrollet e tjera, përkatësisht kontrollimi i pasagjerëve dhe bagazhit para hipjes në aeroplan, nuk janë në kompetencën e policisë kufitare”, thuhet në komunikatë.

Më 3 nëntor, një aeroplan i kompanisë “Air Serbia”, i cili ishte nisur drejt Moskës, ishte kthyer në Beograd për shkak të një kontrolli të përsëritur të sigurisë ndaj njërit prej pasagjerëve.

Pas përfundimit të këtij kontrolli, aeroplani ishte nisur sërish drejt Moskës.

Përveç Vulinit, në aeroplan ndodheshin edhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë, biznesmen dhe politikan pro-rus, si dhe Dušan Bajatoviq, drejtor i kompanisë “Srbijagas”.