Policia kërkon fotografi të mbi 200 vajzave të rrëmbyera nigeriane

Policia në Nigeri ka kërkuar nga prindërit e më shumë se 200 vajzave të cilat qenë rrëmbyer rreth dy javë më parë, të sjellin fotografitë e tyre.

Bota

03/05/2014 00:50

Vajzat ishin rrëmbyer nga shkolla e tyre në shtetin e Borno-s dhe dyshohet se ky rrëmbim ka ndodhur nga militantët islamik.

Shefi i policisë së Borno-s i tha BBC se autoritet kanë nevojë të konfirmojnë saktësisht  se cilat vajza mungojnë, pasi që të gjitha të dhënat e shkollës ishin djegur, pas sulmit.

Ai tha se deri më tani 223 vajza konsiderohen të zhdukura.

Grupi islamik Boko Haram nuk ka kthyer asnjë përgjigje ndaj akuzave që u janë bërë, pasi që policia beson se ata janë përgjegjës për rrëmbimin e vajzave nga shkolla e qytetit Chibok, më 14 prill të këtij viti.

Grupi, emri i të cilit në gjuhën lokale Hausa do të thotë “ Edukimi perëndimor është i ndaluar”, ka kryer një numër të madh të sulmeve në Nigerinë veriore vitet e fundit, ku ka lënë të vdekur më shumë se 1 mijë e 500 njerëz vetëm këtë vit.

Vajzat janë nga disa shkolla të ndryshme

Komisari i policisë në shtetin e Borno-s, Tanko Lawan, tha se autoritetet e shkollës në Chibok janë duke punuar që të nxjerrin një listë me emrat e vajzave të cilat besohen se kanë marrë pjesë në provimet e vitit të fundit.

Por se puna e tij është vështirësuar shumë, pasi që nxënësit edhe nga zonat e tjera vijnë në këtë shkollë për të hyrë në provimin e vitit të fundit, pasi që nxënësit besojnë se ky qytet është relativisht i sigurt nga sulmet e mundshme.

Disa të dhëna thonë se 53 nga vajzat kanë mundur që të ikin nga sulmuesit. Por ai shtoi se është shumë e vështirë të thuhet se sa është numri i vajzave që i kanë shpëtuar sulmit, pasi që shumë prindër nuk i kanë njoftuar autoritetet nëse vajzat e tyre janë kthyer në shtëpi.

“Për këtë arsye ne po kërkojmë nga prindërit që të vijnë dhe të sjellin fotografitë e vajzave të tyre, në mënyrë që ne të dinë se cilat janë ato dhe se më çfarë numri të vajzave të humbura po përballemi”.

Që prej rrëmbimit, numri i vajzave të zhdukura është kontestuar dhe prindërit kanë kritikuar Qeverinë për përpjekjet e saj në kërkim-shpëtimin e tyre.

Në herët gjatë javës, lideri i një komuniteti në Chibok tha se 230 vajza jaë të zhdukura- një numër shumë më i madh se sa policia aktualisht ka në evidencë- dhe se 43 vajza të tjera kishin arritur që të iknin.

Këtë javë, protestat kanë filluar që të mbahen në mbarë Nigerinë, duke kërkuar nga Qeveria që të bëjë më shumë në mënyrë që vajzat të lirohen.

Besohet se militantët fillimisht i kanë dërguar vajzat në pyjet e Sambisa-s, por një version tjetër i ngjarjes është se vajzat ka gjasa të jenë dërguar afër kufirit të Çadit dhe Kamerunit dhe me shumë gjasa ato janë detyruar që të “martohen”me kryengritësit.

Javën e kaluar, njëri prej këshilltarëve të presidentit të Nigerisë, tha se Qeveria mirëpret çdo ndihëm ndërkombëtare.

Lideri i Boko Haram, Abubakar Shekau, në një mesazh të tij në videon e publikuar në maj të 2013-ës, kishte kërcënuar se do të rrëmbente gra dhe vajza dhe do t’i shndërronte ato në sllave.

 (BBC)