Policia godet uzurpatorët në Dukagjin

Policia e Kosovës ka nisur një aksion të gjerë në Pejë e Deçan për lirimin e pronave të uzurpuara të AKP-së.

Lajme

16/06/2016 10:00

Mësohet se cak i aksionit të sotëm janë disa objekte dhe 285 hektarë tokë të cilat ishin privatizuar në vitin 2008, shkruan kallxo.com

Lajmi për zhvillimin e aksionit është konfirmuar nga Major Shaip Havolli nga drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike të policisë.

“Aksioni është pjesë e veprimeve të vazhdueshme të policisë, prokurorisë dhe gjykatës për lirimin e pronave të uzurpuara”, ka thënë Havolli.

Eprori i krimeve ekonomike është zotuar se aksionet do vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në largimin e të gjithë uzurpatorëve të pronave shoqërore dhe atyre të privatizuara.

Havolli ka dhënë bilancin e aksioneve të cilat nisën para disa javësh.

“Deri më tani kemi liruar 154 prona shoqërore të uzurpuara ndërsa pas nisjes së aksionit 203 të apostrofuar si uzurpatorë kanë nënshkruar kontrata për qira me AKP-në”, ka thënë Havolli.