Policia gjermane kap 36 emigrantë kosovarë në kufi, ndërsa ajo austriake zë 21 të tjerë pa leje qëndrimi

Fluksi i refugjatëve nga Kosova që pa dokumente valide po ua mësyjnë shteteve të perëndimit nuk ka të ndalur. 

Lajme

03/01/2015 15:51

Mediat gjermane e austriake, duke iu referuar burimeve policore të vendeve përkatëse njoftojnë për grupe të reja të refugjatëve që policia i ka kapur në vendkalimet kufitare apo në lindjat ndërkombëtare të trenave. Pas raportimeve në baza ditore nga Gjermania për zënien e grupeve të kosovarëve, sot vjen edhe një njoftim për një grup të tillë të zënë në Austri.

Bëhet fjalë për 21 shtetas kosovarë, prej të cilëve pesë gra në mes 29 dhe 46 vjeçe, katër vajza të moshës 2 deri 16 vjeçe, një fëmijë 2 vjeç dhe dy djem 17 vjeçarë. Pjesa tjetër e grupit përbëhet nga meshkuj në mes 20 dhe 46 vjeçarë, shkruan nachrichten.at.

Krahas kosovarëve policia ka kapur edhe 7 sirianë.

Të gjithë, 28 personat janë arrestuar dhe janë dërguar në stacionin e policisë në Linz. Është konstatuar se që të gjithë (19 meshkuj dhe 9 femra) kanë qenë pa dokumente të rregullta.

Ndërsa dy raste të ndara janë zbuluar gjithsej 36 shtetas kosovarë duke kaluar me tren nga Çekia në Gjermani.

Policia Federale në Dresden ka zënë 47 emigrantë pa dokumente të vlefshme të cilët po udhëtonin me trena ndërkombëtarë nga Çekia.

Të gjithë ata ia kishin mësyrë Gjermanisë, për të kërkuar azil. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore të gjithë u janë dorëzuar autoriteteve kompetente për të huaj të landit Sachsen, në Chemnitz, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e të zbuluarve më 30 dhjetor , vetëm nga Kosova kishin qenë 25 veta, në mesin e të cilëve edhe tri familje me fëmijë të vegjël. Mosha e kosovarëve të përmendur shkon nga 3 deri në 65 vjeç.

Edhe më 31 dhjetor policia ka kapur dy familje kosovare që po ashtu po udhëtonin në drejtim të Dresdenit.

Bëhet fjalë për pesë persona të rritur dhe gjashtë fëmijë, njofton Policia Federale e Gjermanisë në portalin e saj.