Policia: Festimet në Kosovë kaluan të qeta dhe pa incidente fatale

Policia e Kosovës njofton se festimet për vitin e ri në vendin tonë kanë kaluar kryesisht të qeta dhe pa incidente me pasoja fatale. “Policia e Kosovës për të menaxhuar me situatën e sigurisë gjatë periudhës së festave të fund vitit dhe për Vitin e Ri,  ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin…

Lajme

01/01/2025 13:45

Policia e Kosovës njofton se festimet për vitin e ri në vendin tonë kanë kaluar kryesisht të qeta dhe pa incidente me pasoja fatale.

“Policia e Kosovës për të menaxhuar me situatën e sigurisë gjatë periudhës së festave të fund vitit dhe për Vitin e Ri,  ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Në fokus të këtij urdhri operativ, përveç ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ka qenë mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar.

Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë i përcjellë me disa raste të ndryshme, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë rast me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike.

“Mund të veçohet disa raste ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ zjarr vënie, lëndim trupor, armëmbajtje pa leje etj, të cilat në konsultim me prokurorin policia ka iniciuar raste për trajtim dhe kompetencë të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2025) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzore pa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin. Vazhdojmë të Apelojmë për respektim të ligjit dhe respektim të rregullave të trafikut rrugor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.