Policia e Kosovës sekuestron armë automatike dhe drogë në Mitrovicë
Një operacion i planifikuar i Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug, ka rezultuar me sekuestrimin e një arme automatike dhe substancave narkotike. Operacioni u zhvillua sot pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimi të informacioneve relevante. Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, u…
Lajme
Një operacion i planifikuar i Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug, ka rezultuar me sekuestrimin e një arme automatike dhe substancave narkotike.
Operacioni u zhvillua sot pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimi të informacioneve relevante. Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, u ndalua për verifikim një person i dyshuar. Gjatë kontrollit trupor, ai kishte tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 0.99 gram, transmeton lajmi.net.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar të Mitrovicës, Policia kreu kontroll edhe në banesën e të dyshuarit, ku u gjet një armë e gjatë automatike me një karikator që përmbante 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një pistoletë me karikator të zbrazët. Të gjitha armët dhe substancat narkotike u fotografuan, evidentuan dhe sekuestruan nga njësia e Krimteknikës Rajonale.
I dyshuari u intervistua në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet vazhdojnë nga njësia antidroga e Mitrovicës-Jug./lajmi.net/