Policia e Kosovës për aktivitetet që u zhvilluan sot: Plani operativ u realizua në mënyrë të suksesshme dhe të qetë

Policia e Kosovës ka dal me një reagim në lidhje me marshin “Drejtësi, jo politikë” që u mbajt sot në Prishtinë në përkrahje të ish-liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Policia e Kosovës tha se masat planifikuese që ishin ndërmarrë u realizuar në mënyrë të sukesshme dhe të qetë, transmeton lajmi.net. Po ashtu,…

Lajme

17/02/2026 16:42

Policia e Kosovës ka dal me një reagim në lidhje me marshin “Drejtësi, jo politikë” që u mbajt sot në Prishtinë në përkrahje të ish-liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Policia e Kosovës tha se masat planifikuese që ishin ndërmarrë u realizuar në mënyrë të sukesshme dhe të qetë, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, Policia foli edhe për aktivitetet tjera që u shënuan për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Plani operativ për këtë ditë u realizua në mënyrë të suksesshme.
Postimi i plotë:
Policia e Kosovës realizoi planin operativ për ditën e pavarësisë së vendit, parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e Policisë së Kosovës dhe marshin solidarizues paqësor
Prishtinë, 17 shkurt 2026
Policia e Kosovës, me rastin e shënimit të 18-të vjetorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku ishin paraparë aktivitete të shumta festive, përmes planeve operative policore ka ndërmarrë masa të nevojshme, për të siguruar që mbarëvajtja e evenimenteve manifestuese dy ditore të kalojnë në mënyrë të qetë e festive.
Me rastin e festës së pavarësisë, sipas agjendës shtetërore janë realizuar aktivitete të shumta në nivel vendi, përfshirë parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, të cilat janë përcjellë nga personalitete të larta shtetërore nga Kosova, Shqipëria e personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Po ashtu sot me datën 17 shkurt 2026, në ora 14:00 në sheshet kryesore të kryeqytetit “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Skënderbeu”, është mbajtur “Marshi solidarizues paqësor”, me moton “Drejtësi, jo politikë”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Me qëllim të mbarëvajtjeve të të gjitha aktiviteteve përgjatë dy ditëve (16-17 shkurt), Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të nevojshme planifikuese operative dhe preventive, duke zbatuar plane të veçanta policore, të cilat kanë rezultuar që të gjitha aktivitetet të realizohen me sukses dhe në mënyrë të qetë.
Policia e Kosovës, ju uron të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës 18 vjetorin, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës dhe njëherit i falënderon për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kulturën e lartë qytetare të treguar gjatë aktiviteteve të këtyre dy ditëve./lajmi.net/