Policia dorëzon në Prokurorinë Speciale raportin me shkelje për tenderin e Prevallës të realizuar nga Ministria e Infrastrukturës

Tenderi “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”, i cili është realizuar nga Ministria e Infrastrukturës ka përfunduar në prokurori.

Lajme

17/07/2020 13:42

Pas një punë disa mujore, hetuesit nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit në kuadër të policisë së Kosovës e kanë dorëzuar një raport të hollësishëm në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115”.

Burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se ky organ i hetuesisë para dy javëve ka hartuar një raport me të gjetura serioze lidhur me shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e disa zyrtarëve të ministrisë përfshirë drejtoreshën e prokurimit, Valmira Bllaca dhe disa zyrtarë të OSHP-së.

Të kontaktuar nga lajmi.net, lidhur më këtë çështje nuk kanë pranuar të japin asnjë informatë zyra për informim e policisë së Kosovës dhe as ajo e Prokurorisë Speciale.

Policia kishte nisur hetimet lidhur me këtë tender në vitin e kaluar.

Më 18 mars 2020, Paneli i Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit vendosi që të hedhë poshtë të gjitha ankesat e kompanive për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”. “Gjykata e tenderëve” e la në fuqi vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës dhe e autorizoi që të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës për këtë tender.

Mirëpo, kanë kaluar katër muaj dhe autoritet e ministrisë nuk e kanë nënshkruar akoma këtë kontratë.

Kontratat me vlerë të madhe rëndom nënshkruhen nga përfaqësuesi i kompanisë, dhe tri autoritete më të larta të institucionit, ministri, sekretari dhe menaxheri i prokurimit. Lajmi.net ka mësuar se ish ministri, Lumir Abdixhiku dhe sekretari Izedin Bytyqi kanë hezituar që të nënshkruajnë këtë kontratë. Nuk ka dashur të flasë, nëse do ta nënshkruaj edhe ministri i ri Arban Abrashi. Situata është renduar tash kur rasti ka shkuar në Prokurorinë Speciale, nga ana tjetër dihet se në atë pjesë ku janë paraparë punimet kanë filluar të rrëshqasin gurët.

Ministria kishte rrëzuar një kompani shumë më të lirë e cila ishte e përgjegjshme, duke konsideruar se gjatë ankesës së saj, kompania kishte bërë ankesë të jashtë afatshme në e-prokurim. Në raportin e sajë të dorëzuar në prokurori, policia e ka theksuar këtë shkelje ku ka gjetur se ankesa ka qenë e afatshme.

Lajmi.net ka raportuar disa herë për këtë tender, për të cilin dyshimet janë se ka pasur shkelje të ligjit të Prokurimit kur janë rekomanduar për kontratë kompanitë fituese dhe kur nuk i është pranuar ankesa një kompanie e cila ka qenë shumë më e lirë.

Tenderi është i ndarë në dy pjesë (lot I dhe lot II).

Për pjesën e parë është shpallur fitues kompanitë  “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” në vlerë prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria.

Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më pak sesa oferta fituese.

Ky tender ka qenë dy herë në OSHP.

Fillimisht në tetor të vitit 2019, ministria kishte shpallur fituesit e tenderit për pjesën e parë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe për pjesën e dytë “Papenburg & Adriani”.

Pas shpalljes së rezultatit nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues u patën ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit, dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret, as teknike e as me ofertën më të lirë. Më pas, ministria kishte formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria kishte hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës. Më pas, kompanitë janë ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së vërtetoi se tenderi nuk është vlerësuar konform ligjit dhe rekomandoi MIA-në që ta kthejë në rivlerësim përsëri. OSHP-ja vërtetoi se për këtë prokurim ka ofertë më të lirë të përgjegjshme, duke aluduar në ofertën e kompanisë “Sallahu” për lot 2, e cila ishte më e lirë se oferta fituese për 749,621.40 euro. Por, në rivlerësim OSHP-ja urdhëroi që të kthente dhe pjesa e parë e tenderit, pasi edhe aty kishte shkelje.

Por, pas rivlerësimit u shpallën fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tek autoriteti kontraktues u ankuan vetëm dy operatorë, konzerciumi “Sa-Sallahu & Groma Hold”, dhe “2A Group &2T”. Përsëri ministria e formoi një komision vlerësues për të shoshitur pretendimet ankimore. Ofertën e 2A Group &2T” përsëri e hodhi poshtë duke e vlerësuar si të pa përgjegjshme. Ndërsa, për ofertën e “Sa-Sallahu” tha se ishte ofertë e jashtëfatshme e ngarkuar me pretendime në KRPP, dhe nuk e mori në konsideratë.

Këto dy kompani përsëri u ankuan në OSHP. Ky institucion e autorizoi ekspertin e vetë për shoshitjen e provave. Eksperti e përpiloi raportin ku rekomandoi që lënda përsëri të kthehet në rivlerësim, ngase sipas tij, ministria e kishte shkelur ligjin kur kishte shpallur operatorët ekonomikë si të përgjegjshëm, ndërsa ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” e kishte konsideruar si të afatshme. Lajmi.net kishte raportuar se KRPP-ja kishte dhënë një përgjigje në këtë çështje, ku kishte thënë se ankesa me pretendime ishte ngarkuar në e-prokurim brenda afatit ligjorë.

Megjithëkëtë, Paneli Shqyrtues kishte vendosur që të mblidhet në kohën kur ishin masat e rrepta të pandemisë, dhe më 18 mars kishte lëshuar vendim ku rekomandonte që të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik që i rekomandonte ministria. Por, ish-ministri Lumir Abdixhiku kishte hezituar ta nënshkruaj kontratën.

Ministria e Infrastrukturës para pak ditëve ka njoftuar se në rrugën rajonale R-115 Prizren – Prevallë, kilometri i 18-të (në afërsi të fshatit Gornje Sello), ka ndodhur një rrëshqitje dheu dhe gurësh nga pjesët anësore. Kompanitë e kontraktuara nga MI, e kanë pastruar këtë aks rrugor, megjithëkëtë ministria ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të lëvizin me kujdes të shtuar në këtë pjesë apo të udhëtojnë për në këtë destinacion nga rrugët e tjera ekzistuese. Është apeluar që shoferët e mjeteve të rënda (mbi 3.5 ton) të evitojnë kalimin këndej, duke shfrytëzuar rrugët alternative. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/