Policia bastis dy shtëpi në Australi pas sulmit në Zelandën e Re

Policia ka bastisur dy shtëpi në Australi, në kuadër të hetimeve të lidhura me sulmin në dy xhami në Kristçërç të Zelandës së Re.

Bota

18/03/2019 08:23

Pesëdhjetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të premten.

Australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar, është akuzuar për vrasje. Ai besohet të ketë kryer i vetëm sulmet.

Autoritetet në Uellsin e Ri Jugor kanë kërkuar në prona të paidentifikuara mëngjesin e së hënës.

“Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është që të kemi material që mund t’i ndihmojë policisë së Zelandës së Re gjatë hetimeve”, ka thënë policia e Uellsit të Ri Jugor, shkruan rel.

Mediat australiane kanë raportuar se njëra nga shtëpitë i përket motrës së Tarrant.

Policia ka thënë se familja e tij në Australi është duke ndihmuar në procesin e hetimeve.

Brenton Tarrant është paraqitur para gjykatës në Zelandë të Re të shtunën.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern është zotuar se do të ndryshojë ligjin për armët, pas incidentit që është konsideruar si sulmi më i rëndë në historinë e këtij kombi.