Po, është “JO”

Kryeministri Edi Rama i thotë JO shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Tha se Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion. Në fjalën e tij, ai shpjegoi çështjen që ngriti në këmbë Shqipërinë, nga frika e helmit.

Lajme

15/11/2013 16:34

Edi Rama ka gëzuar protestuesit shqiptarë, por ka zhgënjyer Amerikën.

Kryeministri Shqiptar duket se nuk ka mundur t’i bëjë ballë presionit të brendshëm të shprehur me protesta në rrugë dhe i tha “JO” kërkesës për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë brenda territorit të këtij shteti.

“Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, ka thënë Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij.

Ai ka shpjeguar se në fillim të bisedimeve me partnerët ndërkombëtare ka thënë se në parim janë të gatshëm, por sqaroi se ai nuk do të merrte vendim pa e çuar në Kuvend.

\”Po, jemi të gatshëm. Por, nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm. Gjithçka lidhet me transportin, ekspertizën dhe teknologjinë duhet të marrin përsipër vendet e tjera”.

“Është operacion i komplikuar sa civil aq edhe ushtarak dhe si i tillë përgatitja e tij nuk është subjekt i një debati publik”.

“Dua t’u siguroj sot se në gjithë procesin e diskutimeve intensive, përmes një grupi ekspertësh, për t’i dhënë përgjigje çdo shqetësimi të ambientalistëve”.

“Kemi gjetur përgjigje të njëpasnjëshme, kemi marrë garanci të njëpasnjëshme”.

“Dua t’i shoh në sy drejtpërdrejt të gjithë, në radhë të parë ata që më dhanë besimin më 23 qershor. Këta skenarë halucinantë kanë kallur të gjithë, politikanë pa dinë e iman”.

“Unë nuk do t’u tradhtoja kurrë për asnjë interes dhe me asnjë çmim. Nuk do të bëja asgjë diçka që do të cenonte jetën tuaj”.

“Pa ndihmën e Amerikës, Slobodan Milosheviqi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë”.

“Bombat e Amerikës çliruan gjysmën e kombit tonë”.

“Interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me interesat e SHBA’ve”.

“Unë nuk them që të shkatërrohen armët kimike është si të hash një karamele”.

“A mund dhe a duhet t’u thoshte JO Shqipëria Shteteve të Bashkuara? A mund t’i imagjinohet që SHBA përpiqen t’ia heqin dorë një vrasësi për të vrarë njerëz të tjerë”.

“Nuk keni të drejtë të frikësoheni nga shkatërrimi i armëve kimike”.

“Sot nuk është dita për t’ua ndryshuar mendojen. E di këtë, dhe nuk ua kërkoj. Sot është dita për t’u thënë Bravo.\”

“Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz. Pa SHBA’të, Shqipëria nuk do të ishte aty ku është sot. Pa SHBA’të, bota nuk do ta kishte mundur dot as Hitlerin, as komunizmin. Pa SHBA nuk do të kishte pasur sot protesta kundër armëve kimike, por nuk do të kishte pasur protesta fare në këto 23 vjet”.

“Lëni anash ata që nxisin një anti-amerikanizëm që na turpëron si komb”, ka thënë Edi Rama.

Organizata për ndalimin e Armëve Kimike ka diskutuar sot një plan për shkatërrimin e një sasie të vlerësuar prej 1000 tonësh arsenal kimik.

Takimi ka filluar në mëngjes në Hagë ndërsa delegacionet kombëtare janë duke punuar në një plan për shkatërrim, raportojnë agjencitë e huaja të lajmeve.

Shqipëria, vend anëtar i NATO’s, është një ndër tri vendet e vetme në botë që ka deklaruar grumbullin e armëve kimike në OPCË dhe e ka shkatërruar atë. Shtetet tjera si SHBA’të dhe Rusia i kanë deklaruar këto armë, por nuk e kanë bërë ende shkatërrimin e tyre.

Qindra njerëz kanë kaluar natën para ndërtesës së kryeministrisë në Tiranë përderisa mijëra të tjerë kanë protestuar në qytete tjera.

Rama ka thënë se javën e kaluar ka folur në telefon me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John kerry rreth mundësisë që Shqipëria ta pranojë shkatërrimin e armëve kimike siriane, duke shtuar se kabineti i tij ka qenë në biseda me partnerët e NATO’s.

Megjithatë, Shqipëria duket si një zgjidhje kundërthënëse. Vendi prej 2.8 milionë banorësh kaloi në anarki në vitin 1997 pas kolapsimit të skemave investuese të cilat u kushtuan shumë shqiptarëve me kursimet jetësore. Kjo rezultoi me vjedhjen e shumë armëve nga banorët nëpër depot e armatimit.

Në vitin 2008, një shpërthim në Gërdec, vendbanim afër Tiranës, vrau 26 njerëz dhe plagosi 300 të tjerë si dhe ndërsa shkatërroi 5.500 shtëpi. Hetuesit kanë thënë se shpërthimi u shkaktua nga një cigare e ndezur në një fabrikë ku ishin të vendosura 1.400 tonë eksplozivë.

Më shumë se 120 mijë njerëz janë vrarë në Siri që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit 2011, ndërsa më shumë se 2 milionë të tjerë kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.