Planifikojnë të takohen

Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj planifikojnë të takohen në ditët në vijim, për ta sqaruar përfundimisht të ardhmen e tyre, bëjnë të ditur burime të lajmi.net. Siç pohohet, në këtë takim do të vendoset nëse ata do të vazhdojnë së bashku në PDK apo jo.

Lajme

15/12/2013 19:40

Një takim mes Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt është planifikuar të mbahet këto ditë, kanë bërë të ditur burime të sigurta të lajmi.net.

Dy figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Thaçi dhe Limaj, do të ulen së shpejti së bashku, për ta dëgjuar njëri-tjetrin dhe për ta shpjeguar në tërësi situatën e krijuar tash e disa muaj, nëse rruga e tyre politike do të jetë edhe më tutje e përbashkët apo ajo do të ndahet përfundimisht.

Lideri i PDK’së, siç pohohet, është i interesuar për ta ruajtur unitetin brenda partisë dhe për ta forcuar edhe më tutje atë.

“Nga ky takim do të varen hapat e mëtutjeshëm. Të dy kanë çfarë t’i thonë njëri-tjetrit dhe ata janë pajtuar që ta dëgjojnë njëri-tjetrin çfarë kanë për të thënë. Takimi tashmë është caktuar dhe ai ose do ta sjellë një bashkim të madh ose një çarje të madhe”, ka deklaruar një burim i lajmi.net.

Fatmir Limaj, i cili ka ushtruar postin e Nënkryetarit të PDK’së dhe Jakup Krasniqi, i cili ka ushtruar postin e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë dalë hapur me pakënaqësitë e tyre  për zhvillimet brenda partisë.

Në zgjedhjet lokale, ata kanë mbështetur iniciativa qytetare dhe kanë kërkuar votat për to, në garë me PDK’në.

Por, nuk kanë deklaruar hapur se po shkëputen zyrtarisht nga PDK, ndërkohë që formimi i një partie të re politike nga ana e tyre nuk është konfirmuar ende.

Ditë më parë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, u ka bërë ftesë të hapur Limajt dhe Krasniqit për t’u kthyer në partinë që e kishin udhëhequr së bashku që prej përfundimit të luftës.