Pjeshka, simboli i jetëgjatësisë në Kinë

Pjeshka ky frut që konsiderohet si simboli i jetëgjatësisë në Kinë, ka origjinën e vet në këtë vend ku është kultivuar për më shumë se 5000 vjet.

Fun

24/05/2017 08:20

Pjeshka është e pasur me antioksidantë të cilët i mbrojnë qelizat e trupit nga dëmtimi dhe kështu zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, disa lloje të kancerit dhe sëmundjeve kronike. Pjeshkat përmbajnë fenol, substancë e cila është antioksidanti i saj kryesor dhe i cili vepron më fuqishëm se sa vitamina C. Por, meqë lëkura e pjeshkës përmban deri dy herë e gjysmë më shumë fenol se sa vetë brendësia e frutit, mos e qëroni atë.

Nëse nuk e pëlqeni lëvoren e pjeshkës së zakonshme për shkak të “qimeve”, merrni nektarinat që janë pa qime. Në esencë është pemë krejtësisht e njëjtë.

Karotenoidet kryesore të cilat gjenden në pjeshkë dhe nektarina janë beta-kriptoksantin dhe beta-karotinë, të cilat në organizëm shndërrohen në vitaminë A. Sa më të portokallta të jenë pjeshkat më tepër beta-karotenë ka në to.

Pse duhen konsumuar?

Pjeshkët e freskëta janë burim i mirë i fosforit, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ndikon në shëndetin e eshtrave dhe dhëmbëve, rritjen dhe rigjenerimin e indeve dhe mirëmbajtjen e vlerave të ph në gjak. Ato po ashtu përmbajnë edhe hekur, bakër i cili i nevojitet organizmit për të krijuar hemoglobinë dhe kolagjen, vitaminë B3, i cili është një faktor i rëndësishëm për metabolizmin dhe prodhimin e energjisë.

Një pjeshkë e madhësisë mesatare (me lëvore), mbulon pesë deri në dhjetë për qind të nevojave të trupit për fibra te të rriturit. Nëse hani pjeshkë rregullisht, do të rregulloni sulmet e urisë, do të mundësoni zbrazjen e rregullt të zorrëve, do të zvogëloni rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2.

Nuk duhet harruar as që pjeshkët janë burim i rëndësishëm i vitaminës C, e cila na mbron nga infeksionet dhe përshpejton shërimin dhe i vitamins E, e cila ndikon në imunitet dhe në shëndetin e lëkurës.

Mund të jenë një vakt i lehtë

Pjeshka është e përsosur si një vakt i lehtë pas mëngjesit, pa shtuar sheqer, tretet lehtë dhe prandaj është e përshtatshme për ata që kanë probleme me tretjen. Këshillohet të hahet larg vakteve, pasi “përzierja” e qumështit dhe karbohidrateve mund t’i shkaktojë parehati zorrëve. Së fundi, duhet të jeni të vetëdijshëm se nuk duhet të pini shumë ujë pas ngrënies së këtij fruti, sepse rrezikoni acidin cianidrik që ndodhet në pjeshkë.