Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësohet moment i rëndësishëm diplomatik për Kosovën

E rëndësisë së madhe për Kosovën, por edhe presidenten Vjosa Osmani, vlerësohet pjesëmarrja në Bordin e Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe diskutimet me presidentin Donald Trump dhe sekretarin Marco Rubio. Pasi tha se Osmani tregoi afërsi me “lidershipin më të fortë në botë”, profesori Lutfi Bilalli, tha se mesazhet nga Rubio…

Lajme

21/02/2026 23:02

E rëndësisë së madhe për Kosovën, por edhe presidenten Vjosa Osmani, vlerësohet pjesëmarrja në Bordin e Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe diskutimet me presidentin Donald Trump dhe sekretarin Marco Rubio.

Pasi tha se Osmani tregoi afërsi me “lidershipin më të fortë në botë”, profesori Lutfi Bilalli, tha se mesazhet nga Rubio dëshmojnë se SHBA-ja është e interesuar për stabilitet në Kosovë.

“Një turne jashtëzakonisht i rëndësishëm, jashtëzakonisht efikase, produktive nga dy aspekte: e para, Kosova gjendet në një trupë organizative, në një organizatë ndërkombëtare si themeluese dhe, e dyta, në aspektin e sigurisë Kosova po merr përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme por edhe të rënda bukur shumë. Kjo mendoj, për Kosovën si një shtet i ri flet qartë”, ka thënë Lutfi Bilalli, profesor.

Pjesëmarrjen e presidentes në Bordin e Paqes, profesori Basri Muja e vlerësoi “moment shumë të rëndësishëm diplomatik për Kosovën” teksa kujtoi që pjesë e tij janë edhe shtete jo-njohëse.

“Mendoj që kjo është një mundësi e mirë që të ndikohet te ata (shtetet jo-njohëse). Takimi me presidentin Trump, por dhe me Rubio, veçse e konfirmon politikën e jashtme amerikane në raport me Kosovën. Për fat të mirë Kosovën po e trajtojnë si partner strategjik dhe vetë konfirmimi i gatishmërisë së tyre për të punuar me Qeverinë e re paraqet edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm”, ka thënë Basri Muja, profesor për rtv dukagjinin.

Pasi tha se Kosova nuk ka shkëlqyer në diplomaci viteve të fundit, profesori tha se momentumi i tanishëm i përshtatet presidentes.

“Paraqesin momente pozitive për zonjën Osmani, ajo ka shkëlqyer në dy-tre javët e fundit, nëse mund të them. Kanë qenë javët e saj, koha nëse mund të them më e spikatur si presidente, dhe ajo do të mundohet ta shfrytëzojë këtë moment për një ri zgjedhje eventuale në pozitën e presidentes”, ka thënë Basri Muja, profesor.

Në një njoftimin për takimin me Rubion, Departamenti Amerikan të Shtetit e cilësoi presidenten Vjosa Osmani si partnere të dedikuar, falënderoi Kosovën që u bë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Ndërkaq shtoi se mezi presin që të punojnë me Qeverinë e re të Kosovës në agjendën e përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.