Pirlo cakton datën e ndeshjes lamtumirëse nga futbolli
“Në jetën time kam luajtur vetëm futboll. Kështu që besoj se do të mbeten ende në këtë fushë”.
Sport
Kjo është deklarata e Andrea Pirlos nga vendlindja e tij, Brescia, ku i është dorëzuar çmimi “Brescianità 2018”, me rastin e festës së San Faustino e Giovita, dy padronët e shenjtë të qytetit italian.
“Nëse do të stërvis ndonjë skuadër, kjo mbetet hipotezë, por ende nuk mund ta them me siguri. Tani kam nevojë të largohem nga futbolli për të pushuar, por do të kem kohë të mjaftueshme për të vendosur se çfarë do të bëj në të ardhmen. Nuk kam asnjë peng. Ishte momenti i duhur për t’u tërhequr dhe e kam zgjedhur vet unë. Jam i lumtur me vendimin tim”, shtoi më tej ish-lojtari i Interit, Milanit dhe Juventusit, përpara se të kalonte në SHBA nga ku edhe vari “këpucët në gozhdë”.
Sa i përket çmimit të marrë, Pirlo është shprehur i kënaqur që si qytetar i Brescias të vlerësohet në këtë mënyrë. “Besoj se kam përfaqësuar në fushë mënyrën më të mirë të të qenit një breshan”.
Edhe pse mungon ende zyrtarizimi, Andrea Pirlo po organizon edhe ndeshjen e tij të lamtumirës nga futbolli i luajtur, duke i ftuar ish-shokët e tij dhe ish-rivalët me anë të një letre që qarkullon prej orësh në internet.
“Do të jetë një rast për të kaluar një natë speciale duke bërë atë që më pëlqen më shumë. Një pjesë e të ardhurave do të jepen për bamirësi në Fondacionin Vialli e Mauro dhe Pietro Onlus”.