Pineles: Dëshmia e James Rubin mund të minojë teorinë e prokurorisë kundër Thaçit në Hagë

Paraqitja e Ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar për Hashim Thaçin ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare. Për dëshminë e tij ka folur edhe ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, i cili thotë se James Rubin i njeh shumë mirë zhvillimet e asaj…

Lajme

22/09/2025 22:56

Paraqitja e Ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për të dëshmuar për Hashim Thaçin ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.

Për dëshminë e tij ka folur edhe ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it, Dean Pineles, i cili thotë se James Rubin i njeh shumë mirë zhvillimet e asaj periudhe dhe se dëshmia e tij mund të rezultojë si shumë e rëndësishme.

“Mendoj se kjo mund të rezultojë të jetë shumë e rëndësishme. Së pari, James Rubin është një diplomat ish-përfaqësues shumë i respektuar dhe me përvojë të madhe. Ai ka qenë në terren në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Ai krijoi një marrëdhënie me Hashim Thaçin në konferencën e paqes në Rambuje të Francës. Rubin gjithashtu ka bashkëpunuar me të gjatë demilitarizimit të UÇK-së dhe ka krijuar disa opinione shumë të rëndësishme rreth hierarkisë së UÇK-së dhe rolit të Thaçit brenda asaj hierarkie. Ai ka arritur në përfundimin se z. Thaçi ishte në thelb fytyra e UÇK-së por pa autoritet vendimmarrës dhe se ai nuk ishte në majën e hierarkisë qëë merrte të gjitha vendimet e rëndësishme në terren. Pra, mendoj se kjo dëshmi mund të jet shumë domethënëse sepse nëse pranohet, ajo minon teorinë e prokurorisë në këtë rast, që ishte se ekzistonte një hierarki shumë e rreptë dhe se z. Thaçi dhe bashkëpërgjegjësit e tjerë ishin në krye të saj dhe kishin autoritet vendimmarrës, duke i bërë ata përgjegjës si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale të përbashkët për të gjitha krimet dhe mizoritë që ndodhën gjatë asaj periudhe të luftës dhe menjëherë pas saj. Pra, mendoj se gjykata do të duhet të shikojë shumë nga afër këtë dëshmi”, ka thënë Pineles.

Gjykatësi amerikan, thotë se Thaçi edhe të tjerët që po gjykohen ne Hagë kanë qëndruar për një kohë të shumë të gjatë në paraburgim.

Mirëpo në anën tjetër ai thekson se prokuroria ishte e shqetësuar për përpjekjet e supozuara të të akuzuarve për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

“Kjo është një pyetje e vështirë. Ata kanë qenë në paraburgim për pothuajse pesë vjet. Do të bëhen pesë vjet në fillim të nëntorit. Kjo është një periudhë e gjatë për të qenë në paraburgim gjatë një procesi gjyqësor. Z. Rubin ka theksuar se kur aktakuza doli për herë të parë në dritë, ai po shkonte për në Uashington për një takim me Presidentin e SHBA-së Trump. Dhe në vend që të vazhdonte drejt SHBA-së duke shpresuar të bënte ndonjë lloj marrëveshjeje që do ta lironte nga përgjegjësia, ai u kthye dhe shkoi përsëri në Kosovë. Kur aktakuza u depozitua, ai dha dorëheqjen si president dhe pastaj u dorëzua vullnetarisht. Pra, me siguri mund të argumentohet se ai bëri gjënë e duhur në atë kohë, kur mund të kishte bërë gjënë e gabuar dhe të përpiqej të shmangte çdo përgjegjësi në gjykatë. Pra, nëse e bëri atë atëherë, dhe… dorëzoi presidencën e tij, një vendim mjaft i rëndësishëm, ndoshta mund të besohej që ai të lirohej gjatë procesit me kushte shumë strikte.”, është shprehur tutje Pineles.

Mes tjerash, Pineles thotë se ekziston rreziku që nëse ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënohen, atëherë Serbia do ta përdorë politikisht këtë çështje

“Gjykata do të japë vendimin e saj dhe do të jetë çfarëdo që të jetë. Nëse është një verdikt fajësie ndaj ndonjërit nga të akuzuarit për ndonjë nga akuzat, kjo do të perceptohet jo mirë në Kosovë, për të thënë më të pakën. Dhe nëse ka një vendim fajësie, atëherë kjo do të shkojë direkt në duart e zyrtarëve serbë që nuk do të donin asgjë më shumë se të zhvendosin përgjegjësinë nga vetja tek një ndërmarrje kriminale e përbashkët e UÇK-së. Kjo do të shkojë shumë mirë për Serbinë dhe shumë keq për Kosovën”, ka theksuar Pineles.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Por, avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët./teve1