Pikat alternative të kalimit në veri të Kosovës
Rreth 750 mijë euro vlerësohet se i humb buxheti i Kosovës në javë nga aktivitetet e paligjshme në veri të Kosovës, përderisa derivatet e naftës janë mallrat që më së shumti kontrabandohen nga veriu në jug.
Lajme
Pos derivateve të naftës, në atë pjesë të vendit ka edhe kontrabandë të materialit ndërtimor, të barnave, të makinave, të cigareve, të artikujve ushqimorë etj. Kështu thuhet në raportin e publikuar para dy ditësh në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.
Sipas raportit të Iniciativës Globale, statusi i zonës gri të veriut të Kosovës duket se e ka kthyer këtë rajon në një zonë të sigurt për kriminelë nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Po kështu ky status bën të mundur lulëzimin e aktiviteteve të paligjshme. Nga kjo zonë, siç thuhet në këtë raport, kalon një rrugë që lidh veriun e Kosovës dhe Serbinë (veçanërisht Novi Pazarin) në veri me Prishtinën dhe me pjesën tjetër të Kosovës në jug. Në pikat kufitare, si Jarinjë dhe Bërnjak, nga ana kosovare kemi Policinë dhe Doganën e Kosovës, si dhe personelin e EULEX-it, ndërsa nga krahu tjetër kemi Policinë serbe.
“Thuhet gjithashtu se ka disa ‘pika alternative kalimi’ (zakonisht rrugë të pashtruara), që përdoren për hyrje dhe dalje të paligjshme nga Kosova, si dhe për kontrabandë. Karburanti është malli që kalon më shpesh kontrabandë (nga veriu në jug). Më pas vijnë materialet e ndërtimit, ilaçet, makinat, cigaret, ushqimet, pijet dhe mallrat tjera. Llogaritet se nga këto aktivitete të paligjshme buxheti i Kosovës humb çdo javë rreth 750.000 euro nga tarifa doganore të pambledhura: nga këto 400.000 euro janë tarifa karburantesh, nga materialet e ndërtimit humbin 200.000 euro dhe 150.000 euro për mallrat e tjera”, potencohet mes të tjerash në këtë raport, duke shtuar se një pjesë e mirë e këtyre mallrave nuk qëndrojnë në pjesën veriore me popullsi serbe, por transportohen për në jug në zona të Kosovës me popullsi shqiptare.
“Kjo tregon edhe një herë se kur vjen puna te rrjetet e kontrabandës kriminelët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht ndasive etnike ose ndarjeve gjeografike e administrative”.
Përveç kalimit kontrabandë të mallrave me akcizë, armëve dhe drogës (kanabis nga Shqipëria dhe heroinë, që vjen nga korridoret ballkanike), nëpër këtë rajon zhvillohet edhe trafikimi i qenieve njerëzore (që vijnë nga jugu dhe kalojnë nëpër veriun e Kosovës).
Që nga viti 2015 ky korridor mendohet se është përdorur edhe për kalimin e emigrantëve.