Pika e karburantit si ‘objekt rekreativ’, Komuna e Prishtinës lëshoi leje të ndërtimit në zonën e gjelbër

Komuna e Prishtinës nuk po i respekton Planet e veta rregulluese.

Lajme

21/02/2020 10:17

Në vendet e parapara për park për rekreacion e sport, po lëshon leje të ndërtimit për pompa të derivate të naftës.

Një leje e tillë në lagjen “Arbëria” i është dhënë edhe kompanisë “Kastrati Group” si dhe disa bizneseve të tjera të vogla.

“Kastrati Group” para pak javëve e ka ndërtuar një pikë të derivateve të naftës, restorant dhe një market në një parcelë mbi Ambasadën Amerikane. Leja e ndërtimit është lëshuar konkretisht për ndërtim në dy parcela, parcelën me numër 2948 -0 dhe 2950 ZK Prishtinë.

Drejtoria e Urbanizimit të Prishtinës këtë leje e ka lëshuar duke u thirrur në Planin rregullues “Arbëria 3”. Por, sipas Planit Rregullues për lagjen “Arbëria 3” i reviduar nga kompania “Urban plus” i miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mandatin e parë të kryetarit Shpend Ahmeti, parcela me numër 2950-2 është zonë e gjelbër, konkretisht e definuar si park, ndërkohë lajmi.net ka parë se në parcelën nr 2948-0 nuk është ndërtuar asgjë, pasi ndodhët në anën tjetër të magjistrales Prishtinë – Mitrovicë.

Në këtë zonë, bashkë me këtë parcelë janë edhe parcelat 7182-2, 7182 -1, 2952-0, 2953-0, 2950-1, 2950-3, 3011-0, 2948 -0. Këto parcela, sipas Planit rregullues janë të destinuara për Sport dhe rekreacion, konkretisht për ndërtesa të sportit dhe rekreacionit, me maksimum të kateve P+1, ndërsa shumica e parcelave, që janë në ballë të Ambasadës Amerikane janë të destinuar si sipërfaqe për gjelbërim të izoluar.

Komuna e Prishtinës e ka pasur këtë kërkesë për leje të ndërtimit në tavolinë që në vitin 2018, por e kishte refuzuar. Më pas është rihapur procedura përsëri dhe kërkuesi është pajisur me leje të ndërtimit të ndërtues afariste me karakter të përkohshëm me destinim pikë e shitjes së derivateve të naftës, restorant dhe maket me etazhitet P+0, në lagjen “Arbëria 3” në Prishtinë.

Lajmi.net ka vërejtur se në këto hapësirë të gjelbër janë ndërtuar edhe disa objekte tjera me karakter të përkohshëm, si autolarje, renta car, parking. Ndërsa, një pjesë e parcelave e cila është menjëherë në ballë të Ambasadës amerikanë ka mbetur djerrinë.

Parcelat janë në posedim të Bajram Gashani dhe kompanisë “Al Trade” shpk, ndërsa i është lëshuar me qira kompanisë “Kastrati Group” shpk.

Kompania “Kastrati Group” është themeluar në vitin 1995 në Pejë, teksa posedon 5 pompa te derivateve, 3 restaurante familjare dhe qendra tjera në Kosovë.

Sipas projektit kryesor të prezantuar, sipërfaqja e së tërësishme e ndërtesës e lejuar për ndërtim, është  S= 534.10 m2, në funksion të restorantit, marketit dhe administratës, ndërsa në këtë nivel, streha që del jashtë ndërtesës ka sipërfaqe prej S 615.50 m2 (përkatësisht streha mbi pikat e mbushjes se derivateve). Njëherësh pjesë e këtij projekti, sipas vendimit për lejen e dertimit janë tre rezervarë me kapacitet V = 1 x 60.000 litra naftë, V = 1 x 40.000 litra benzinë dhe V= 10.000 litra gli.

Leja është lëshuar në vitin e kaluar, ndërsa objektet janë ndërtuar në fund të vitit të kaluar dhe gjatë fillimit të këtij viti.

Lajmi.net nuk ka marr përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur më këtë leje të ndertimit, se pse ishte refuzuar herën e parë, dhe se si është lëshuar në kundërshtim me Planin rregullues. /Lajmi.net/