Pezullohet protesta, rikthehen në qarkullim autobusët e linjës Prishtinë-Podujevë

Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka njoftuar për pezullimin e përkohshëm të grevës pas një takimi të mbajtur sot me përfaqësues të Komunës së Prishtinës. Kështu bëri të ditur për Lajmi.net kryetari i Shoqatës, Beqir Mustafa, i cili deklaroi se presin që komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama, të adresojë shqetësimet e tyre sa…

Lajme

17/01/2025 19:10

Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka njoftuar për pezullimin e përkohshëm të grevës pas një takimi të mbajtur sot me përfaqësues të Komunës së Prishtinës.

Kështu bëri të ditur për Lajmi.net kryetari i Shoqatës, Beqir Mustafa, i cili deklaroi se presin që komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama, të adresojë shqetësimet e tyre sa më shpejt.

“Ata janë zotuar se do t’i heqin stacionet në magjistralen Prishtinë-Podujevë. Ne kemi kërkuar që të ndalen të gjitha linjat e komunës pasi janë në kundërshtim me ligjin. Greva ndërpritet përkohësisht deri në një vendim tjetër”, tha Mustafa për Lajmi.net, i cili bëri të ditur se që nga nesër do të rikthehen për qarkullim këto linja të autobusëve.

Tutje, ai shtoi se Shoqata ka kërkuar gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të respektojë konkurrencën e ndershme dhe kornizën ligjore në fuqi.

Kujtojmë se shoferët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë që nga dje kishin refuzuar të vihen në funksion të qarkullimit si linja transporti, për shkak të një vendimi nga Komuna e Prishtinës, sipas së cilit linjat e autobusëve urbanë do të shtohen, e kësisoj llapjanëve t’u mundësohet qarkullimi nga Prishtina në disa prej fshatrave në Podujevë përmes autobusëve urban.

Ekipi i Lajmi.net dje gjatë ditës kishte qëndruar në vendin e protestës, nga ku mësuan më shumë detaje. /Lajmi.net/