Petrit Ajetit i vazhdohet mandati edhe për pesë vite në krye të AKI-së

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka njoftuar se Petrit Ajeti do të jetë edhe për pesë vite të tjera në krye të AKI-së. Ajo ka thënë se këtë vendim e kanë marrë bashkë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, shkruan lajmi.net. “Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij…

Lajme

14/04/2026 16:35

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka njoftuar se Petrit Ajeti do të jetë edhe për pesë vite të tjera në krye të AKI-së.

Ajo ka thënë se këtë vendim e kanë marrë bashkë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

“Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë. Gjatë këtij takimi, e falënderuam z. Ajeti për punën e shkëlqyer dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të kaluar”, ka shkruar Haxhiu.

Në lidhje me këtë vendim, ka njoftuar edhe Zyra e Presidentes. Ata kanë thënë gjatë mandatit të Ajetit, AKI ka vazhduar të luaj rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike të Republikës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.

“Ajeti ka mbi 20 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa pesë vitet e fundit ka udhëhequr Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Përvoja e tij profesionale përfshin funksione të larta në sektorin e sigurisë, me kontribut të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës. Ai ka përfunduar studimet në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe studimet master në Universitetin Metropolitan të Londrës. Po ashtu, ka ndjekur programe të shumta të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Presidentes ka thënë se forcimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtja e interesave shtetërore mbeten ndër prioritetet kyçe të Republikës së Kosovës.

Petrit Ajeti ka ushtruar detyrën e kryetarit të AKI-së për pesë vitet e fundit.

Ai ishte emëruar nga ish-Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Albin Kurtin në krye të AKI-së, më 15 prill 2021. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: