Përparimi i çoroditjes gjithëshqiptare

Shkruan: Agron HOTI

Opinion

25/06/2019 09:15

Derisa po zieja sot nga vapa nëpër bulevardet e Berlinit, papritmas policia gjermane aty rreth orës 17:00bllokoi rrugën Leipziger Strasse, pranë së cilës shtrihet ndërtesa gjigante e Ministrisë Federale të Financave, për t’i liruar rrugëneskortës shtetërore të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Edhe pse Zaev e di që paqja dhe perspektiva e Maqedonisë së Veriut sigurohet vetëm përmes shqiptarëve, ai mjeshtërisht po fiton terren nëpër kancelaritë kryesore perëndimore,duke përfituar në kurriz të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut –këta të fundit nuk gëzojnë as 50% e të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë – dhe duke shtyrë përpara rendi-ditën evropiane të këtij vendi.

Nuk më ra në ballë aq shumë vapa, sa paradoksi se shqiptarët e ruajtën Maqedoninë e Veriut jo vetëm si tërësiterritoriale, por dhe nga influenca ruse, kurse Zaevi jo vetëm që mori meritat në këtë proces, por edhe kërcënon parreshtur Evropën se po s’mori mbështetjen e duhur nga Evropa, Gruevski shumë shpejtë do mund të kthehetnë pushtet dhe në aleancë me Dodikun e Vuçiçin do të mund ta kthejnë kursin e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjës kah Rusia.

Pra, nuk është Zaevi ai që po mban gjallë kursin verio-atlantik, por janë shqiptarët ata që presin të shpërblehen për konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e tyre. Është për të ardhur keq që shqiptarët jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por në të gjitha hapësirat shqiptare, kanë mbetur aq margjinal në këtë proces, sa secili shtron pyetjen: A nuk ishin shqiptarët ata që kontribuan në ruajtjen e Maqedonisë së Veriut?! Aq partikularë jemi bërë për interesa të ngushta personale, sa vështirë të dalim nga ky labirinth ç’orientues.

Shqiptarët nuk e kanë këtë kartë të Zaevit, sepse të gjitha forcat politike anekënd trojeve shqiptare pa përjashtim janë të orientuara drejt politikave euro-atlantike. Sigurisht që karta kërcënuese e Zaevit nuk është ajo duhet të marrin shembull shqiptarët.

Por, ajo çfarë shqiptarët do të mund të përfitonin nga ky proces, është të krijojnë një kurs të përbashkët nacional dhe të trokasin nëpër kancelaritë perëndimore duke u thënë që paqja dhe perspektiva në Ballkan ruhet vetëm nëse shqiptarët marrin të drejtat e tyre të natyrshme, për çka shqiptarët historikisht kanë dhënë kontributin e tyre pro-evropian dhe për çka edhe sot e dëshmojnë atë me orientimin e tyre më pro-evropian në Evropë. E për këtë sigurisht që duhet shpërblyer shqiptarët e jo veçuar e izoluar. Por, a jemi ne shqiptarët duke kryer detyrat e nevojshme që na presin? Dyshoj se jo.

Jemi i vetmi popull në Evropë, që investojmë aq shumë energji negative ndaj njëri tjetrit sa është për t’u habitur. Përderisa të gjitha shtetet, pavarësisht problemeve të brendshme, në politikën e tyre të jashtme dalin me një zë dhe qëndrim të përbashkët projektues, partitë politike shqiptare, pothuaj pa përjashtim, sapo takojnë një individ apo institucion ndërkombëtar, nuk lënë gurë pa lëvizur për të hedhur baltë mbi tjetrin, me shpresën se ky vrerë-vjellje do t’u përshpejtojë atyre ardhjen në pushtet. Kaq rezonojnë. Kjo tregon për vetëdijën e ultë dhe patriotizmin e zbehtë që kemi dhe të cilat së bashku nuk përbëjnë një bosht, mbi bazën e të cilit do të ecnim përpara.

Përderisa nacionalizmat e fqinjëve tanë – historikisht gllabërues – kanë qenë projektues për së paku 150 vite, duke krijuar një bosht vertikal përbashkues kombëtar të paluhatshëm, të vazhdueshëm dhe avancues, nacionalizmi i zbehtë shqiptar, i cili sipas dijetarit ndoshta të vetëm shqiptar që kishim Arbër Xhaferit (të cilinfatkeqësisht as me flamur shqiptar nuk e varrosëm) është vetëm reagues ndaj projeksioneve të errëta të fqinjëve tanë dhe si rrjedhojë vazhdon të jetë ende pa bosht vertikal përbashkues kombëtar.

Mjafton t’u referohemi elaborateve të ndryshme serbe për të kuptuar se sa projektues ishte nacionalizmi i tyre.

I tillë është “Elaborati për Shqipërinë”, i dizajnuar në Memorandumin e Ivo Andriqit të vitit 1939, në të cilin citohet Nikolla Pashiqi, i cili në pamundësi për të zhbërë pavarësinë e Shqipërisë kërkonte që të kishte “një Shqipëri të pavarur, por të dobët dhe jostabile”. Të njëjtën gjë kërkon Serbia sot në Kosovë, ose më mirë të njëjtën gjë synojnë fqinjët tanë për të gjitha hapësirat shqiptare. Pra, ky është projeksioni serb dhe fqinjëve tjerë greko-sllav, të mbështetur nga Rusia.

Ne, shqiptarët, sikur asnjëherë nuk e kemi vlerësuar sa dhe siç duhet pozitën e tepër të favorshme gjeostrategjike në të cilën jetojmë. As sot nuk arrijmë ta kuptojmë sa duhet vlerën tonë. E vlerën tonë më së miri e përshkruan hasmi jonë Vaso Çubrilloviqi në “Memorandumin politik mbi problemin e pakicave në Jugosllavinë e re”, të datës 3 nëntor 1944, në të cilin i brengosur për vitalitetin e popullit shqiptar thoshte:“Treva rreth Sharrit është kurrizi ujëndarës i lumenjëve më të mëdhenj të Ballkanit që derdhen në tri dete. Për shkak të kësaj Kosova dhe Metohia gjithmonë janë konsideruar zonë strategjike në Ballkan. Duke qenë të shtrirë në pjesën qendrore të Ballkanit, Kosova dhe Metohia e ndajnë Serbinë nga Mali i Zi dhe këto të dyja nga Maqedonia”.

Të shkapërderdhur nëpër disa shtete, pikërisht si rezultat i nacionalizmit projektues të fqinjëve, të përçarë si mos më keq, të etur për miliona-bërje brenda 24 orëve, të joshur drejt analfabetizmit si substancë e përditshme dhe gërditshme politike gjithandej trojeve shqiptare, të prirë drejt servilizmit halor rreth bosit dhe për bosin, të çoroditur deri në ekstrem, kemi nxjerrë si emërues të përbashkët dekadencën kombëtare, apo përtharjen eidentitetit dhe vlerave tona kombëtare drejt një hiçi. Kjo shihet në çdo aspekt të shoqërisë shqiptare.

Shikoni elitën politike gjithëshqiptare që për interesa partikulare ka mbyllur sytë përballë falangave të rrymave fetare ekstreme islame, ortodokse e ngapak besa edhe katolike që kanë filluar të gërryejnë nga brenda identitetin shqiptar, për të cilin kanë sakrifikuar jetën e tyre miliona shqiptarë. Këto forca maskueshëm kanë hyrë brenda partive politike dhe të gjitha poreve të jetës anembanë trojeve shqiptare, pasojate të cilave – nëse tani të verbuar nga interesi partikular – do t’i shohim e ‘korrim’më vonë.

Mjafton të shohim ritualet fetare të qytetarëve tanë nëpër rrugë, sheshe, plazhe, salla sportive e stadiume gjithandej trojeve shqiptare – diçka të cilën se kishim kurrë në traditën dhe identitetin tonë – dhe të bindemi se jemi nisur në drejtim të kundërt nga ai të cilin po e deklarojmë.

Tash na ka mbetur që edhe shqiptarët e besimit katolik dhe ortodoks të dalin nëpër hapësira publike për të kryer ritualet e tyre fetare. Dhe natyrshëm vjen pyetja: nëse ritualet fetare duhet të kryhen në sheshe e rrugë, pse paska nevojë të ekzistojnë objektet e kultit? Sipas kësaj logjike, i bie që edhe nxënësit, studentët dhe akademikët duhet bërë mësimin në sheshe e rrugë dhe si rrjedhojë duhet prishur infrastrukturën arsimore dhe pse jo tërë infrastrukturën publike dhe të jetojmë si në xhungël. A nuk duhet që të qenurit tre-konfesionalta kapitalizojmë në interes të përbashkimit të përpjekjeve e jo ndarjes e përçarjes? Si do të mund të ndihet një shqiptar i besimit ortodoks ose katolik, kur sheh vëllezërit e tij shqiptar duke kryer ritet fetare në rrugë e sheshe?! A i kontribuon dikujt kjo përçarje?! E kjo mban shqiptarët të ndarë e përçarë, të dobët dhe pa elan projektues.

Shqiptari i sotëm, pa marrë parasysh se cilit tabor i takon, është bërë aq shumë partikular, sa që për interes vetjak, për ca pozitë e Lekë/Euro është në gjendje ta sakrifikojë edhe familjen/shtetin e tij/saj. Mjafton të shohim se çfarë pas-ardhës lë pas vetespjesa më e madhe e politikës shqiptare (kjo nuk është vetëm sot) gjithandej trojeve shqiptare dhe të kuptojmë interesat partikulare të mbjellura pikë së pari në familje, rëndom në dëm të interesit shtetëror/kombëtar se s’ka se si të jetë ndryshe.

Pra, një pjesë e konsiderueshme e elitës dhe politikës gjithëshqiptare e rrit fëmijën duke i thënë që ti je vetë shteti dhe se atë duhet ta nëpërkëmbësh sa herë që të del si pengesë në arritjen e qëllimeve partikulare. Ky është trendi, fundi i të cilit nuk po i shihet. Këtu jemi të gjithë, të gjitha taboret e kanë dëshmuar në një apo formë tjetër.

Çoroditja deri në ekstrem e politikës gjithëshqiptare e shoqëruar me një analfabetizëm politik që mek, do të jenë argumentet më të forta për kundërshtarët historikë të popullit shqiptar gjithandej Evropës dhe jo vetëm, duke thënë se ky popull nuk e merituaka të bëjë jetë normale, ashtu edhe siç në fakt nuk po bën. Globalizimi ndryshon, por gjeografia jo.

Kur gjeografia nuk ndryshon, atëherë edhe interesat mbeten. E kur interesat mbeten, historia vetëm përsëritet. Tensionet e vazhdueshme deri në përplasje janë në linjë me projeksionet e errëta të armiqve tanë. Gjendja aktuale në Shqipëri, përbën turpin e shoqërisë shqiptare. Secili mundohet të kapet për një nen apo ligj, sado konfuz e margjinal, për të arsyetuar veprimet degraduese politike. A duhet që secili që vjen në pushtet t’i vëjë flakën shtetit shqiptar?! Kriza në Shqipëri nuk është juridike, por tërësisht politike, e ndërsyer nga projeksione dashakeqëse ndaj popullit shqiptar.

Kundërshtarët historik të popullit shqiptar, të prirë nga Rusia me satelitë të saj, përfshirë Kinën, duke shfrytëzuar me përpikëri krizën e thellë të BE-së ia kanë dalë që përpos ndërhyrjes në sisteme elektorale evropiane dhe amerikane të ndërtojnë një konspiracion ndaj popullit shqiptar pa përjashtim, nga i cili vështirë se do të mund të dalim.

Pasojat veç janë evidente si për Shqipërinë ashtu dhe Kosovën dhe kjo nuk do të përfundojë me kaq. Polarizimet politike gjithëshqiptare janë duke u ushqyer nga këto qarqe dashakeqëse dhe kësaj nuk po i shihet fundi. E ajo që është më e keqja në këtë mes është fakti, që si shqiptarë nuk kemi një përgjigje të përbashkët ndaj këtij konspiracioni në rritje. Transmetimet live të televizionit rus të protestave në Shqipëri, tregojnë se sa në interes Rusisë shkon destabilizimi i Shqipërisë.

Zbrazja nga shqiptarët e luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes para syve të Evropës duke mos e kritikuar as edhe një here të vetme Serbinë për këtë spastrim etnik të heshtur; izolimi i Kosovës; nxitja e dhunës dhe kaosit në Veri të Kosovës nga Serbia dhe mosndëshkimi i saj ndaj këtyre obstruksioneve kundër Kosovës e mbështetur fortë nga qarqe ruse të infiltruara brenda BE-së;mospranimi i minoritetet shqiptar dhe heshtja e gjenocidit grek në Çamëri nga po kjo Evropë; zbrazja e ngadaltë dhe e sigurtë e pjesëve të banuara nga shqiptarët në Mal të Zi dhe presionet e kishës serbe nëpër këto troje, ndërkohë që Mali i Zi nga BE shihet si “prijës i frontit” rajonal drejt integrimit në BE; përmirësimi tepër i vogël e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut; ndikimi dhe orientimi i politikave të Këshillit të Evropës në të mirë të politikave ruse dhe serbe;nxjerrja e rezolutës nga Holanda për rikthim të vizave për shqiptarët me preteksin se janë të rrezikshëm, ndërkohë që statistikat shtetërore holandeze flasin për numër dhe probleme të papërfillshme të shqiptarëve në Holandë krahasuar me holandezët dhe popujt tjerë; nxitja dhe mbështetja e kaosit në Shqipëri nga qarqe ruse; ndërhyrjet ruse në punë të brendshme të vendeve të Ballkanit me theks të veçantë në hapësirën shqiptare sikur kanë ngulfatur hapësirën shqiptare dhe po e mbajnë në kaos në shërbim të interesave ruse për destabilizim të Evropës aty ku ka mundësi dhe hapësirë, etj. janë vetëm disa nga pikat ku Evropa ka mbyllur sytë dhe as që i bën për pupullin më pro-evropian në Evropë.

Shqiptarët duhet të kenë strategji kombëtare sa më shpejtë që të jetë e mundur për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, e mos të mbesim me gishta në gojë kur shkojmë nëpër vende përëndimore e t’i kullosim sytë sikur lypsarë të këqinj dhe pa pikë vlere duke thënë “ah pirolla u qoftë këtyre në perëndim se valla i kanë bërë sendet”, kurse për vete aty për aty thonë “te ne shqiptarët bre vëlla shkon me të ngulur, po s’ja ngule nuk ta di shqiptari”.

Këtë moto kemi ndërtuar deri me tani mes vete, pra nguljen, dëmtimin e tjetrit deri në substancë. Edhe përpara nuk kemi qenë shumë më ndryshe. Në shumë raste, më të ashpër kanë qenë funksionarët shqiptarë – kuptohet jo të gjithë – ndaj shqiptarëve që Jugosllavinë e shihnin si mish të huajin, se sa serbët, malazezët e maqedonasit. Fakte ka sa të duash.

Shqiptarët duhet të ndajnë shapin prej sheqerit duke u thënë politikanëve të të gjitha taboreve pa përjashtim se “shteti bre motra e vëllezërdashka njerëz të letrës e jo analfabetë”, jo njerëz që deri dje ishin periferik e sot u kanë hipur majave të politikës pa e pasur idenë se pse janë aty; jo njerëz që deri dje kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete vrastare të vendeve fqinje e sot luajnë shqiptarin patriot; jo njerëz që as shqip nuk dinë të shkruajnë e që për këtë marrohen edhe para fëmijëve të tyre ndërkohë që kanë top funksione politike dhe jo vetëm; jo njerëz që sjellin rryma të rrezikshme ekstreme fetare që rrezikojnë identitetin tonë, të cilin e kemi ruajtur që prej se ekzistojmë;jo njerëz që publikojnë libra pa e shkruar një rresht në to; jo njerëz që blejnë diploma universitare;jo njerëz që si synim parësor kanë çoroditjen e shoqërisë, shtetit, familjes, etj, etj.

Qytetarëve tanë iu nevojitet një politikë që komunikon drejtpërdrejtë me ta, që i pyet ata për problemet ditore. Nuk duhet të shitemi se jemi të nivelit të Kryetarit Trump duke komunikuar përmes rrjeteve sociale duke menduar që bota na i lexon ato. Ne nuk jemi as Amerikë e as Gjermani. Neve, shumë më tepër se çdokund, na duhet që aksionin politik ta bëjmë duke komunikuar drejtëpërdrejtë me media, me qytetarin dhe me këdo tjetër. Sa më shumë që komunikojmë, aq më afër qytetarit jemi, aq më të informuar jemi për hallet dhe telashet e tyre, aq ma transparent e llogaridhënës jemi dhe aq më pak spekulime kemi.

Politika shqiptare e të gjitha taboreve duhet vërë gishtin në kokë, edhe atë sa më herët aq më mirë, duke e pranuar, se nuk e ka kapacitetin e nevojshëm për të ecur përpara, se duke menduar Evropën, idel Afrika përpara, se nuk e ka idenë për dinamikat, trendet dhe konstelacionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është koha e fundit kur duhet mbështetur profesionistin para skëterrës apo servilit. Jo të mbështeten njerëz që aspër çobanë nuk do të mund të kualifikoheshin, nuk duhet të fusim elementë fetarë ekstrem në skemat politike, sepse rrezikojmë të godasim identitetin shqiptar. Duhet kuptuar tashmë se shteti në vend të alltive kërkuaka letra, se në vend të servilizmit e paditurisë kërkohen meritokratë, të cilët do të përbënin motorin e disiplinës shoqërore, shtetërore dhe kombëtare.

Rigjenerimi, ripërtëritja e politikës shqiptare drejt një meritokracie premtuese është urdhër kohe. Përderisa deri dje duhej të merreshim me forma klasike të zhvillimit dhe demokratizimit të shoqërisë, e sotmja kërkon laramani top profesionistësh që dinë për trendet zhvillimore të teknologjisë informative, trende këto që janë instaluar dhe janë duke u instaluar në çdo pore të botës.

Sa më shumë e shpejtë u përshtatemi këtyre trendeve në ardhje, aq më shpejtë do të jemi në linjë me zhvillimet globale dhe aq më prosperuese do të jenë projeksionet tona. Sa më shumë që rigjenerojmë dhe ripërtërijmë politikën tonë gjithëshqiptare aq më premtues do të jemi karshi qytetarëve të hutuar në katrahura të politikës ditore që çmendin.

Bota nuk është ajo që ishte dje. Të fillojmë sot, për të qenë të sigurtë nesër. Duke qenë se dje ishim në rend dite të agjendave globale e sot nuk jemi, është momenti i fundit që t’u përshtatemi dinamikave të rënda zhvillimore dhe plotësisht të pasigurta nëpër të cilat po kalon globi.

Përshtatja nuk bëhet pa kokë e projeksion. E projeksion do të thotë të kemi platforma të përbashkëta politike, institucionale, ekonomike, kulturore, artistike e sportive. Pa platforma premtuese, rrezikojmë të degradojmë edhe më tej, ndërkohë që kombet tjera do ecën me kohën.