Përhapet vala e zjarreve në Kosovë – kërkohet ndihma e KFOR-it në Podujevë

Situata me zjarret në Kosovë vazhdon të përkeqësohet. Sipas raportit të fundit nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME), gjatë periudhës nga ora 14:00 deri në 20:00 të datës 9 gusht, janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në mbarë vendin. Nga këto, 15 vatra janë ende aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar, transmeton lajmi.net Situata më alarmante…

Lajme

09/08/2025 22:06

Situata me zjarret në Kosovë vazhdon të përkeqësohet. Sipas raportit të fundit nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME), gjatë periudhës nga ora 14:00 deri në 20:00 të datës 9 gusht, janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në mbarë vendin.

Nga këto, 15 vatra janë ende aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar, transmeton lajmi.net

Situata më alarmante është raportuar në fshatin Dumnicë të komunës së Podujevës, ku për shkak të përmasës së zjarrit është kërkuar ndihmë nga njësi të tjera dhe ndërhyrje ajrore nga KFOR-i.

Në këtë zonë janë angazhuar njësite e zjarrfikësve nga Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, ndërsa menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse.

AME u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke kërkuar që çdo vatër e dyshimtë të raportohet menjëherë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192. Agjencia ka falënderuar zjarrfikësit për përkushtimin e tyre dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen në terren.

Njoftimi i plotë nga AME:

PËRDITËSIM I RAPORTIT PËR SITUATËN ME ZJARRE
Periudha raportuese: 14:00 – 20:00
Prishtinë, 09 gusht 2025

Sipas të dhënave të pranuara në Qendrën Operative të Agjencisë, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në vend. Prej tyre, pesëmbëdhjetë (15) vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa njëzet e pesë (25) janë lokalizuar.

Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin e palodhshëm të zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e qytetarëve./lajmi.net/