Përfundon seanca e sotme në Hagë, të hënën vazhdon deklaratat përmbyllëse ekipi mbrojtës i Krasniqit
Në Gjykatën Speciale sot u mbajt dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së. Gjatë ditës ekipi i Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke thënë se ai duhet të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ka prova që e lidhin me krimet në aktakuzë. Mbrojtja e Selimit tha se kërkesa e…
Lajme
Në Gjykatën Speciale sot u mbajt dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së.
Gjatë ditës ekipi i Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke thënë se ai duhet të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ka prova që e lidhin me krimet në aktakuzë.
Mbrojtja e Selimit tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për Selimin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin nënkupton “burgim të përjetshëm”.
Më pas mori fjalën mbrojtja e Krasniqit, që tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se klienti i tyre ka pasur lidhje me ndonjë krim. Mbrojtja madje tha se nuk ka asnjë dëshmitar që ka thënë se Krasniqi e ka rrahur apo keqtrajtuar.
Sipas mbrojtjes, Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe jo komandant me kontroll ushtarak. Po ashtu, mbrojtja hodhi poshtë pretendimin se Krasniqi ka qenë parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.
Ekipi mbrojtës i Krasniqit do të vazhdojë deklaratat përmbyllëse të hënën. Po të hënën, trupi gjykues ka dy orë kohë që të parashtrojë pyetje për palët dhe pasdite radhën do ta ketë Prokuroria.