Përfundon protesta në Prishtinë kundër vendimit për ish-krerët e UÇK-së
Ka përfunduar protesta e mbajtur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protesta nisi rreth orës 21:00 me moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në të morën pjesë një numër i madh qytetarësh. Programi u hap me “Betimin e Ushtarit”, të cilin…
Lajme
Ka përfunduar protesta e mbajtur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta nisi rreth orës 21:00 me moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në të morën pjesë një numër i madh qytetarësh.
Programi u hap me “Betimin e Ushtarit”, të cilin e bëri veterani i UÇK-së, Bekim Juniku. Ai më pas ndau me të pranishmit edhe dëshminë e tij personale.
Në mesin e të pranishmëve ishin organizatori i protestës, Çlirim Haziri, gazetarja nga Shqipëria, Denada Kola, si dhe aktori Kushtrim Sheremeti.
Gjatë protestës u shfaq edhe videoja “Rrëfimi i ushtarit”, ndërsa Luan Jahiri interpretoi një pjesë kushtuar Epopesë së Jezercit dhe një këngë ushtarake.
Protesta u përmbyll me aksionin simbolik “Një minutë heshtje për drejtësinë”.
Pas përfundimit të programit, protestuesit u shpërndanë nga sheshi “Skënderbeu”, duke shënuar kështu përfundimin e protestës së sotme.