Përfundon numërimi i votave të diasporës për Mitrovicë të Jugut | Peci del i pari, me diferencë tejet të vogël para Tahirit

Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, gara për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut mbetet shumë e ngushtë. Rezultatet e kombinuara nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe votat me postë tregojnë një përballje të ngushtë mes kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, dhe Partisë Demokratike të…

Lajme

18/10/2025 17:19

Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, gara për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut mbetet shumë e ngushtë.

Rezultatet e kombinuara nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe votat me postë tregojnë një përballje të ngushtë mes kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, transmeton lajmi.net.

Rezultati i numërimit të votave me postë: 

Sipas të dhënave, Arian Tahiri ka marrë gjithsej 15,629 vota, që përbëjnë rreth 47.60% të votave të numëruara deri më tani, duke përfshirë 15,393 vota nga QKN dhe 236 vota nga diaspora. Ndërkaq, Faton Peci ka siguruar pak më shumë vota, gjithsej 15,745, ose rreth 47.97%, nga 15,353 vota të numëruara në QKN dhe 392 vota nga diaspora. Diferenca mes tyre është shumë e vogël, vetëm 116 vota në favor të Pecit.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gëzim Plakolli, ka marrë 1,217 vota, ose 3.71%, ndërsa Qazim Nimani nga AAK ka siguruar 240 vota në total, ose 0.73%, duke përfshirë edhe votat nga diaspora.

Në total, janë numëruar 32,831 vota nga të gjitha burimet e deritanishme, përfshirë votat e diasporës. Megjithatë, ende mbeten për t’u numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, të cilat do të shtojnë numrin e votave përfundimtare dhe mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Me këtë situatë, gara në Mitrovicë të Jugut shkon drejt balotazhit, ku dy kandidatët më të votuar do të përballen në raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të komunës./lajmi.net/