“Përdoren lidhje intime për të marrë informacion” – Ekspertët thonë se ka rrjet spiunazhi në Kosovë

Eksperti i sigurisë nga Kosova, Esat Çollaku, foli për rastin e pilotit kroat të arrestuar nën dyshimet për spiunazh në Kosovë. Ai tha se piloti akuzohet se i ka dhënë informacione të ndjeshme të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka kaluar një partie politike serbe. Eksperti foli për një “kompani” femrash…

Lajme

05/09/2025 22:42

Eksperti i sigurisë nga Kosova, Esat Çollaku, foli për rastin e pilotit kroat të arrestuar nën dyshimet për spiunazh në Kosovë.

Ai tha se piloti akuzohet se i ka dhënë informacione të ndjeshme të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka kaluar një partie politike serbe.

Eksperti foli për një “kompani” femrash serbe, të cilat përdorin trupin dhe seksin për të tërhequr dhe marrë informacione nga shtetet që konsiderohen armike nga Serbia.

Çollaku theksoi se në Kosovë veprojnë rreth 40 gra serbe, të cilat krijojnë lidhje jashtëmartesore me kosovarë, përfshirë anëtarë të forcave policore dhe profesionistë të tjerë. Këto gra, sipas tij, përdorin lidhjet e tyre për të siguruar informacione të rëndësishme që më pas i dorëzohen Serbisë.

“Kam një burim që tregon se rreth 40 gra serbe janë aktive në këtë rrjet, dhe ajo që më shqetëson më shumë është fakti që disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë përfshirë në lidhje jashtëmartesore me këto gra, duke u bërë pre e kësaj ‘kompanie seksi’. Kjo do të thotë se zyrtarë të policisë kanë marrëdhënie me serbe të infiltruara në Kosovë. Në këtë rrjet janë përfshirë edhe gazetarë dhe persona të afërt me qeverinë. Disa prej tyre kanë bizneset e tyre, dyqane dhe restorante, por ajo që më ka habitur është fakti se ato kanë partneritete në lokale të Prishtinës me njerëz me ndikim, duke grumbulluar para. Edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës frekuentojnë këto ambiente,” tha Çollaku në Euronews Albania.