Përdorën armët zyrtare ku plagosën e lanë të vdekur dikë, Inspektorati Policor bën të ditur se pesë raste ishin vitin e kaluar, pesë tani

Përdorimi i armëve të zjarrit nga zyrtarët policor edhe jashtë orarit të punës tashmë është kthyer në një “përditshmëri” për ta. E gjithë kjo bazuar në rastet e shumta që ndodhën në periudhë kohore të shkurtër, brenda muajve. Përdorimi i shpeshtë, vend e pavend, e shumë herë pa nevojë i armës zyrtare i nxori para…

Lajme

22/10/2024 15:25

Përdorimi i armëve të zjarrit nga zyrtarët policor edhe jashtë orarit të punës tashmë është kthyer në një “përditshmëri” për ta.

E gjithë kjo bazuar në rastet e shumta që ndodhën në periudhë kohore të shkurtër, brenda muajve.

Përdorimi i shpeshtë, vend e pavend, e shumë herë pa nevojë i armës zyrtare i nxori para një akti të kryer shumë zyrtarë policorë.

Edhe pse Policia e Kosovës njihet si institucion tejet i besueshëm dhe i suksesshëm, gjë e cila dëshmohet vazhdimisht, individë të cilët kanë kryer vepra të tilla padyshim se kanë rezultuar si të suspenduar, të arrestuar e deri të burgosur.

Rastet specifike që ndodhën së fundi janë të tilla ku përdorimi i armës zyrtare i mori jetën dikujt, e dikë e la të plagosur.

Dikush plagosi nënë, një tjetër kolegen. Dikush vrau burrin e tezes, një tjetër tezakun e dikush shokun.

Tragjike përfunduan shpesh herë, e në lidhje me këto raste, lajmi.net ka kontaktuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kanë thënë se gjatë këtij viti janë iniciuar pesë raste në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ndaj gjashtë punonjësve policor dhe një qytetari, ndërsa vitin e kaluar IPK-ja kishte iniciuar pesë raste në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tetë punonjësve.

Tutje nga IPK-ja kanë thënë për lajmi.net se gjatë këtij viti janë arrestuar tre persona , dy punonjës të Policisë së Kosovës dhe një qytetar, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, derisa është rekomanduar edhe suspendimi i katër punonjësve policor dhe transferimi i dy të tjerëve.

“Inspektorati Policor i Kosovës përkatësisht Departamenti i Hetimeve, gjatë vitit 2024 me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet tjera ligj zbatuese, ka arrestuar 3 persona (2 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 1 qytetar) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, ndërsa për interes të hetimit kemi rekomanduar suspendimin e 4 punonjësve policorë dhe transferimin e 2 tjerëve”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq gjatë vitit të kaluar sipas IPK-së janë arrestuar katër punonjës nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, derisa është rekomanduar suspendimi i tetë punonjësve policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës përkatësisht Departamenti i Hetimeve, gjatë vitit 2023 me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet tjera ligj zbatuese, ka arrestuar 4 persona punonjës të Policisë së Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale, ndërsa për interes të hetimit kemi rekomanduar suspendimin e 8 punonjësve policor”.

Mes tjerash nga IPK-ja kanë thënë se numri i rasteve të trajtuara nuk dallon me vitin paraprak.

“Duke ju referuar të dhënave zyrtare numri i rasteve të trajtuara nuk dallon nga viti i kaluar (nga pesë raste për secilin vit) kurse sa i përket trajnimit bazik të reduktuar  ju lutemi që ta përcillni pyetjen te Policia e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndryshe nga IPK-ja thonë se Policia e Kosovës ka rregulluar afatet ligjore brenda të cilave obligohen zyrtarët e saj t’i nënshtrohet ricertifikimit (gjuajtjes me armë), më shpesh.

“Policia e Kosovës ka rregulluar afatet ligjore brenda të cilave obligohen zyrtarët e saj t’i nënshtrohet ricertifikimit (përfshirë ricertifikimin në aftësitë e përdorimit dhe gjuajtjes me armë zjarri). Inspektorati Policor i Kosovës  gjatë realizimit të inspektimeve në një numër stacionesh, ka hasur në situata kur përfshirja në kurset e ricertifikimit nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar. Në këto raste IPK ka rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla. Duhet përmendur se ka njësi brenda Policisë që trajnimet dhe ricertifikimet për gjuajtjet me armë janë paraparë të kryhen më shpesh  krahasuar me nivelin e zyrtarëve që janë të angazhuar në kuadër të stacioneve policore”, kanë thënë nga IPK.

Duhet theksua se këto raste, shumë prej tyre ishin nga zyrtarët policorë të gjeneratave të fundit të dala nga Policia, ku trajnimi i tyre në Vushtrri ishte i shkurtër siç mëson lajmi.net vetëm tre muaj, duke mos llogaritur këto më pas punën praktike që kryejnë në  kuadër të punës në patrulla./Lajmi.net/

 

Dikush plagosi kolegen, tjetri e vrau, dy të tjerë vranë familjarët e njëri plagosi nënën- Çfarë po ndodh me armët zyrtare të policëve tanë?