Për vetëm tre muaj janë lëshuar 1 mijë e 709 viza nga Kroacia

Pritjet para ambasadës së Kroacisë dhe Gjermanisë vazhdojnë.

Lajme

17/04/2019 17:31

Tashmë janë siguruar raporte për numrin e vizave që janë lëshuar gjatë vitit 2018.

Vetëm nga Gjermania dhe Sllovenia, janë 60 mijë viza të lëshuara për kosovarët.

Ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2019, vetëm për në Kroaci janë dhënë 1,700 viza.

Sigurisht që në pritje janë edhe mijëra qytetarë.

Pritjet e gjata për të marrë një vizë kroate e gjermane nuk kanë të ndalur. Blerim Temaj ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka sjellë djalin e tij për të marrë vizën kroate, mirëpo pyetja e tij e vazhdueshme është: “Pse luftova unë”?

“Turp është për Parlamentin e Kosovës të shohë gjithë këtë rini këtu, duke pritur viza për t’u larguar. Për çka luftuam ne? Për çka u munduam ne? Asgjë hiç. Për vete kanë mjaft, kanë zënë karriget aty në Parlament, i kanë sigurua familjet e veta, tezakët, dajat, nipër, mbesa, e për neve nuk ka…Unë si prind kam luftuar në borë e shi për këtë ditë, e më keq nuk ka. E kam rritë djalin derisa mu bë 20 vjeç,  e tash ai ta lëshoj Kosovën, për çfarë jam munduar unë?!”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Temaj.

I zhgënjyer dhe duke pritur për një vizë kroate është edhe Haxhi Qela. Ai është duke provuar në çdo mënyrë për tu larguar nga Kosova.

“Jam duke pritur për një vizë turistike, pasi drejtpërdrejtë nuk po mundem të shkojë në Gjermani. Po e lëshoj vendi për shkak të papunësisë. Gjërat nuk kanë shkuar siç e kemi paramenduar. Po na imponojnë largimin. Nëse mundem të bëj një vizë pune nuk do të kthehem kurrë më në Kosovë”, deklaroi Haxhi Qela.

Situatë e njëjtë është edhe para ambasadës së Gjermanisë, madje as koha me shi nuk i ndalë të presin me orë të tëra për një vizë gjermane. Kushtet e rënda po i detyrojnë të ikin ndërkaq shtuan se nuk mendojnë të kthehen më në Kosovë.

“Papunësi e madhe. I kam tre fëmijë. Po largohem për një të ardhme”, shprehet Artan Beqaj.

“Jam duke pritur për vizë të djalit. Këta të rinjtë po dalin të gjejnë një jetë më të mirë për të ardhmen”, shprehet Maliq Zymeri.

“Po mendojmë të dalim jashtë për jetë më të mirë. Punojmë në ndërtim, herë ka e herë nuk ka punë”, thotë Sylë Avori.

RTV Dukagjini, së fundmi ka kontaktuar ambasadën e Kroacisë, Gjermanisë e Sllovenisë, për të kuptuar sa viza janë lëshuar gjatë vitit 2018 si dhe në periudhën e fundit.

Sipas raportit të Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, në tre muajt e parë të këtij viti janë lëshuar 1,709 viza, ndërkaq 200 qytetarë janë duke pritur për vizë në këtë ambasadë, gjithashtu, është thënë se edhe për 50 mijë leje të punës ka kapacitet ky shtet. Mirëpo nuk kanë dhënë statistika për vitin 2018.

E në ambasadën e Gjermanisë, janë dhënë gjatë vitit të kaluar 38 mijë viza, ndërsa 13 mijë për qëndrim afatgjatë. Numrin e madh të atyre që presin për një termin në ambasadën gjermane e tregon fakti se pritjet për këtë zgjasin rreth një vit e gjysmë.

Një numër të madh të vizave për kosovarët, ka lëshuar edhe shteti i Sllovenisë. Afro 22 mijë viza janë lëshuar nga Ambasada e Sllovenisë në Kosovë për vitin që lamë pas, duke bërë që Kosova me këtë rast të radhitet e treta sa i përket lejeve të përhershme të lëshuara, pas Bosnjës dhe Serbisë.

Ndërkaq as nga këta të fundit nuk janë dhënë shifra për këtë vit, pasi që publikohen vetëm raporte vjetore.